Aktualitet

Fluks i lartë pacientësh në urgjencën polivalente, 300 raste në ditë për komplikacione të ndryshme!

Fluks pacientesh në urgjencën polivalente në qendrën spitalore universitare në Tiranë.

Mbi 300 raste urgjente në dite i drejtohen Urgjencës, duke e bërë të papërballueshme situatën. Problemet me zemrën, veshkat por dhe ato gastrohepatologjike, duket se janë shtuar më shumë pas Covid-it.

Përveç qytetarëve të Tiranës numërohen mbi  60 autoambulanca që vijnë nga rrethet një pjesë e të cilëve përcillen për në QSUT pa pasur nevojë.

Për shkak të rikonstruksionit të spitalit Infektiv në urgjencën polivalente vijnë dhe rastet që pësojnë helmime apo me probleme të tjera infektive, për të cilat shefi i shërbimit të urgjencës thotë se nuk ka hapësira për t’i përballuar.

Kur nisi rikonstruksioni i Spitalit Infektiv, u tha që të gjitha rastet do të priten në ish-spitalin Covid 3, por kjo nuk po ndodh dhe ende nuk ka një përgjigje konkrete  edhe ndaj kërkesave të shumta që ka bërë shefi i urgjencës .

Sa i përket COVID-19 në 24 orë janë kryer 464 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me COVID19, 113 qytetarë, në këto bashki: 82 në Tiranë, 6 në Fier, 4 në Vlorë, nga 3 qytetarë në Lezhë, Kavajë, Patos, nga 2 qytetarë në Durrës, Lushnje, Sarandë, nga 1 qytetar në Krujë, Dibër, Mallakastër, Pogradec, Kuçovë, Elbasan.

Janë 473 qytetarë aktivë me Covid19 në gjithë vendin.

Aktualisht në spitalin COVID3 po marrin trajtim 7 pacientë. Në 24 orët e fundit nuk ka asnjë humbje jete me Sars-Cov2.
Janë shëruar 49 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 273,056 që nga fillimi i epidemisë.