Aktualitet

Fluksi në Kakavijë, pala greke shton një sportel/Nis punën me procedurë të përshpejtuar!

Në pikëkalimin e Kakavijës, pala greke shton një sportel dhe po punon me procedurë të përshpejtuar për t’i dhënë fund radhës kilometrike që u krijua sot në këtë doganë. Për të diskutuar masat, u zhvillua edhe një takim i drejtuesve të kufirit në të dy anët, ndërsa mesi i muajit gusht ka shtuar numrin e shqiptarëve që kthehen nga vendet ku jetojnë e punojnë, kryesisht në Greqi, për të kaluar pushimet pranë familjeve.

Tashmë u vendos që pala greke të punojë me tre sportele në dalje dhe dy në hyrje. Pra, shtoi një sportel në dalje, pasi vepronte vetëm me dy të tillë. Ndërkohë, në anën tonë të kufirit, numri i sporteleve është shtatë: pesë në hyrje dhe dy në dalje.

Edhe me vendimin e autoriteteve greke për të punuar me procedurë të përshpejtuar, tani shpresohet se do të lihen pas, orët e gjata të pritjes që krijuan një radhë automjetesh deri në 4 km. Për këtë problem reagoi më herët edhe Ilir Meta. Kryetari i Partisë së Lirisë i kërkoi Tiranës zyrtare të kontaktonte me urgjencë palën greke për të zgjidhur problemin. Meta e quajti “të papranueshëm” rikthimin e radhëve. Sipas tij, shteti duhet të ngrihet në këmbë e të marrë çdo masë të duhur.

I bëj thirrje urgjente Qeverisë dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, të vendosin menjëherë kontaktet me palën greke, për të marrë të gjitha masat efektive për lehtësimin dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në pikat e kalimit kufitar. Rikthimi i radhëve kilometrike në Kakavijë është i papranueshëm!

U kërkoj autoriteteve përgjegjëse shtetërore të ndërpresim menjëherë pushimet, të ngrihen në këmbë dhe të marrin çdo masë të duhur e të mundshme për të mos përsëritur kurrë më krizat humanitare në Kakavijë, ku mijëra emigrantë e shtetas shqiptarë, fëmijë e të moshuar u lanë të braktisur dhe në kushte tejet të vështira, por minimalisht t’i informojnë në kohë qytetarët dhe me transparencë për çdo vonesë.