Aktualitet

FMN jep alarmin e kuq për koncensionet PPP!

Fondi Monetar Ndërkombëtar, FMN dha alarmin e kuq për nivelin e lartë të rrezikut që paraqesin kontratat koncesionare (PPP) në ekonominë shqiptare e kryesisht në stabilitetin fiskal. Klasifikimi i PPP-ve me nivelin më të lartë të rrezikut për ndikimin në buxhet u bë në Deklaratën e Bordit të Drejtorëve të FMN-së, pas vizitës së stafit teknik të Fondit në Tiranë dhe raportin që e shoqëron këtë deklaratë.

Projektet e keq-hartuara të Partneriteteve Publike-Private (PPP) për investime në infrastrukturë mund të pengojnë efikasitetin e investimeve publike dhe të bëhen shkak për të krijuar detyrime të mëdha, të cilat mund të dëmtojnë qëndrueshmërinë e borxhit. Menaxhimi i investimeve publike (PIM) ka nevojë për fuqizim. Një numër i madh rekomandimesh nga Vlerësimi i Menaxhimit të investimeve Publike 2016 (PIMA) ende nuk janë zbatuar nga qeveria e Shqipërisë. Asnjë ndryshim domethënës nuk është bërë në kuadrin ligjor mbi PPP-të. Këto kontrata ishin sa 40 për qind të PBB-së 2022, por vlerat e projekteve ekzistuese dhe atyre në proces, vazhdojnë të hartohen jashtë procesit buxhetor.

Sipas Fondit, “korniza për koordinimin dhe menaxhimin e PPP-ve vazhdon të vuajë dobësi të mëdha dhe shtrirja e rreziqeve fiskale të lidhura me këto projekte mbetet e paqartë”.

Qeveria e Shqipërisë duhet të dyfishojë përpjekjet për të forcuar kapacitetin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (MOFE) për të luajtur një rol efektiv si një barrierë në përzgjedhjen e projekteve dhe për t’u angazhuar aktivisht në vlerësimin dhe monitorimin e kontratave.

Përafrimi i proceseve PPP dhe investimeve publike, me integrim të plotë në ciklin normal buxhetor mbetet prioritet urgjent.

Raporti i FMN-së vuri në dukje se “Ministria e Financave të Shqipërisë iu ka thënë ekspertëve të Fondit se ka rritur kapacitet në analizat kosto-përfitime të projekteve të reja, PPP, por ka pranuar se nuk po ushtron monitorim të zbatimit të kontratave, për arsye të mungesës së burimeve njerëzore”.

Qeveria shqiptare ka dhënë aq shuma kontrata PPP, të cilat nuk ka aftësi t’i kontrollojë. Më herët, në raportin e përvitshëm të koncesioneve, Ministria e Financave raportoi se “situata kishte dalë nga kontrolli” dhe për shumicën e kontratave nuk kishte asnjë informacion. Edhe për kontratat që u raportua informacion, ai ishte shumë i cunguar e në asnjë rast nuk tregoi si po ecën zbatimi i tyre.

Transparencë urgjente për fondet e tërmetit dhe pandemisë

Në deklaratën e fundit të Bordit të Drejtorëve, Fondi Monetar Ndërkombëtar i bëri thirrje autoriteteve shqiptare të publikojnë kontratat e prokurimit publik që kanë të bëjnë me pandeminë dhe shpenzimet për rikuperimin e tërmetit, emrat e kompanive që kanë fituar kontratat dhe pronarët e tyre përfitues.

Gjithashtu, FMN vuri në dukje se qeveria duhet të minimizojë ndryshimin e buxhetit me Akt Normativ, që të ruajë besueshmërinë fiskale.
Që kur ndodhi tërmeti dhe më pas pandemia, Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka kërkuar qeverisë shqiptare të bëjë transparent përdorimin e fondeve për këto dy ngjarje. FMN-ja nxiti Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe të tjera ente audituese të ushtronin inspektime mbi përdorimin e fondeve të tërmetit e më pas raportet t’i bënin transparente.

Mungesa vazhdueshme e kapaciteteve për vlerësimin dhe menaxhimin e rreziqeve fiskale është shndërruar në shqetësim për Fondin. Raportet e rreziqeve fiskale, përfshirë ato që kanë të bëjnë me detyrimet e Ndërmarrjeve Shtetërore duhet të pasurohen më tej e të bëhen më largpamëse.

Fondi rekomandoi krijimin e një mekanizmi për të siguruar monitorim sistematik në lidhje me ecurinë e huave të vazhdueshme të qeverisë ndaj Ndërmarrjeve Shtetërore. “Në vazhdim, kushtet për dhënien e huave dhe garancive për Ndërmarrjet Shtetërore dhe komunat duhet të bëhen më të rrepta për të menaxhuar më mirë rreziqet”, – rekomandoi FMN.

Pavarësisht reduktimeve në stokun e përgjithshëm, detyrimet e prapambetura vazhdojnë, veçanërisht lidhur me projektet e investimeve dhe çështje gjyqësore e gjithashtu puna për përmirësimin e të dhënave për detyrimet e prapambetura duhet të vazhdojë, veçanërisht në lidhje me gjurmueshmërinë dhe automatizimin e të dhënave.

Strategjia e re që do të finalizohet më 2023, duhet të adresojë reformat e paplota për parandalimin e detyrimeve të prapambetura./Monitor