Aktualitet Politikë

Foltorja e Berishës ‘zhvendoset’ në New Jersey: Rithemelojmë PD-në!

Foltorja e ish-Kryeministrit Sali Berisha është ndalur sot për të biseduar me shqiptarët demokratë në New Jersy, në SHBA.

Në fjalën e tij Berisha nuk la pa sulmuar edhe kreun aktual të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të cilin e quajti një person që ka ndjekur modelin e kundërshtarit për vjedhjen e votës. Por sipas Berishës, Basha këtë e ka zbatuar në zgjedhjet brenda PD-së.

“Shqiptarët kanë humbur zemrën e lirisë së tyre, votën e lirë. Prej 8 vitesh shoqëria shqiptare voton, narkoqeveria numëron, opozita në pamundësi të plotë nuk arriti asnjëherë të imponojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Bëri të kundërtën. Gradualisht ndoqi modelin e kundërshtarit, armik të votës, deformoi votën brenda PD-së. Por për të gjithë ne është e qartë se vota e lirë është ADN-ja e të gjitha partive.

Me 11 dhjetor ne rithemelojmë de fakto PD-në, e cila u largua nga këto vlera. Me 11 dhjetor ne ngremë përsëri në Tiranë monumentin e pluralizmit politik, i japim vendit opozitën e vërtetë për karshi asaj të marrë peng nga narkoqeveria. Ata që themeluan PD në ‘90 e dinë mirë përpjekjet e qeverisë dhe Ramiz Alisë në atë kohë për të penguar atë themelim. Por pas themelimit të saj e pranuan zhvillimin dhe ato të mëvonshme. PD i priu revolucionit të përmbysjes së sistemit komunist”, tha Berisha.

Po ashtu ish-Kryeministri Berisha nuk la pa përmendur edhe kundërshtarin politik Edi Rama, duke thënë se ky i fundit e ka marrë peng opozitën.

“Rama ia doli të marrë peng opozitën në krimin më të shëmtuar politik të kohërave, ia doli ta shndërrojë atë në fasadë, për shkak se kryetari i saj i lejoi vetes të implikohet në afera, të cilat kurrë një njeri i virtytshëm nuk do ia lejonte vetes. Ja sepse 11 dhjetori është rithemelimi i PD dhe pluralizmit politik në Shqipëri”, u shpreh Berisha.

Ish-Kryeministri Berisha është shprehur se rasti i shpalljes së tij “non grata” është unik në botë.

Berisha tha se ky vendim erdhi nga lobimet korruptive të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.

Ish-kreu i PD-së shtoi gjithashtu se ka qenë beteja me Sorosin që “i hëngri kokën”, pasi sipas tij vendimi erdhi pas kërkesës së tij për shpalljen “non grata” të miliarderit.

Sipas Berishës, asnjë kryeministër në botë nuk është shpallur i padëshiruar në SHBA 8 vite pasi ka humbur zgjedhjet dhe është dorëhequr.

Berisha shtoi se asnjë politikan nuk është shpallur “non grata” vetëm pak ditë pasi forca e tij politike ka humbur zgjedhjet, gjë që sipas Berishës është bërë me qëllimin e vetëm, shkrirjen e PD.