Bota

Fotoja e babait sirian dhe djalit pa gjymtyrë përloti rrjetin dhe u vlerësua si “Fotoja e Vitit”.

Fotografi turk Mehmet Aslan fitoi çmimin “Fotoja e Vitit” në ceremoninë vjetore Siena International Photo Awards 2021 të shtunën me një foto të një refugjati sirian dhe djalit të tij. Fotoja tregon babain, i cili ka humbur njërën këmbë, duke mbajtur lart djalin e tij Mustafa, i cili ka lindur pa gjymtyrë.

Fotoja është realizuar në provincën Hatay, në kufirin turko-sirian, e cila përshkruan një moment lumturie mes babait dhe djalit të tij. Fotografi ka dhënë një intervistë për emisionin e mëngjesit në ABC, ku tregoi se shkrepja e fotos ishte krejt rastësore, pasi ndodhej aty për të ndihmuar me disa ushqime.

“Kemi qenë duke shpërndarë disa ndihma të vogla dhe aty e kam bërë këtë foto. Tregon më shumë dramën, jetën e tyre të vërtetë. Nuk ka pasur nevojë të punohet në foto, është gjendja aktuale në të cilën ndodhen këta njerëz.”, tha fotografi.

“Ne jemi përpjekur ta ndihmojmë djalin me trajtime për vite me radhë, ne do të bëjmë gjithçka për t’i dhënë atij një jetë më të mirë,” tha nëna e djaloshit për The Washington Post. Keqformimi i fëmijës është pasojë e përdorjes së medikamenteve nga nëna. Babai i tij ka humbur këmbën pas shpërthimit të një bombe.

Fotoja u zgjodh nga juria mes mijëra imazheve të dorëzuara nga fotografë nga 163 vende.

“Është e dhimbshme të duhet të komentosh një foto për një tragjedi që nuk ka përfunduar: luftën në Siri. Ajo pozë po bën xhiron e botës, por ne shpresojmë që kjo foto të zgjojë ndërgjegjen e liderëve botërorë”. Këtë e thotë Andrea Iacomini, zëdhënës i Unicef ​​Italia për ANSA.