Bota

Franca gjobit McDonald’s!

Kompania e njohur e ushqimeve të shpejta “McDonald’s” do t’i duhet t’i paguajë shtetit francez 1.25 miliardë euro. Kjo shumë do të paguhet për të shmangur procesin gjyqësor për një evazion fiskal të kryer në periudhën 2009-2020. Shmangia e procesit u bë e mundur falë një marrëveshjeje të arritur mes qeverisë franceze dhe kompanisë, që do të paguajë 508 milionë euro gjobë dhe 737 milionë të tjerë në formën e taksave të kthyera. Autoritetet deklaruan se bëhet fjalë për marrëveshjen e dytë më të madhe të këtij lloji në historinë e Francës.

Rikujtojmë, se para disa muajve “McDonald’s” mbylli 850 bizneset e saj në Rusi, në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës. Kompania ndërkaq njoftoi se:

Të gjitha dyqanet në Rusi do të mbyllen përkohësisht, por pagat e rreth 62,000 punonjësve vendas do të vazhdojnë të paguhen.

CEO i “McDonald’s”, Chris Kempczinski në një e-mail drejtuar punonjësve, i cili u publikua në internet tha se:

Pavarësisht se “McDonald’s” u ka shërbyer miliona klientëve rusë çdo ditë për më shumë se 30 vjet, kompania nuk mund të injorojë vuajtjet e panevojshme njerëzore në Ukrainë. Vlerat tona nënkuptojnë se ne nuk mund të injorojmë vuajtjet e panevojshme njerëzore që shpalosen në Ukrainë. Situata është jashtëzakonisht sfiduese për një markë globale si e jona dhe ka shumë konsiderata.

Sjellim në vëmendje se historia e rrjetit të kafeve të famshme “Starbucks”, me 130 lokale në Rusi, me afër 2000 të punësuar, të cilët do të vazhdojnë të paguhen për gjashtë muajt e ardhshëm, ka marrë fund. Të gjitha lokalet e “Starbucks” në Rusi janë mbyllur përkohësisht në mars dhe i gjithë aktiviteti është pezulluar për shkak të pushtimit rus.