Bota

Franca paralajmëron marrëveshje të shpejtë mbi embargon për naftën ruse!

Ministri francez i Çështjeve Europiane, Clement Beaune, bëri të ditur se “anëtarët e Bashkimit Europian mund të arrijnë një marrëveshje gjatë kësaj jave lidhur me propozimin e Brukselit zyrtar për ndalesën e të gjitha importeve të naftës nga Rusia”.

Mendoj se ne mund të arrijmë marrëveshje gjatë kësaj jave!

Për këtë çështje, më vonë gjatë ditës pritet një bisedë telefonike e presidentit francez, Emmanuel Macron me kryeministrin hungarez, Viktor Orban. Hungaria është kritikja më e madhe e embargos mbi naftën ruse.

Një ditë më parë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, informoi se është shënuar përparim në bisedimet me Orbanin, për ta bindur të ndryshojë qëndrim. Më 4 maj, von der Leyen, prezantoi propozimin e KE-së, si pjesë e paketës së gjashtë të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Por, për ta miratuar kërkohet mbështetja unanime e 27 shteteve anëtare të bllokut europian.

Deri në fund të vitit, Bashkimi Europian do të heqë dorë plotësisht nga nafta e papërpunuar ruse e produktet e rafinuara. Këtë e njoftoi më 4 maj presidentja e Komisionit Europian. Ursula von der Leyen shpalli paketën e gjashtë të sanksioneve kundër Moskës. Para Parlamentit Europian në Strasburg, von der Leyen pranoi se nuk do të jetë e lehtë. Disa shtete anëtare janë shumë të varura nga nafta ruse. Von der Leyen nuk përmendi asnjë përjashtim nga kjo ndalesë, edhe pse Hungaria e Sllovakia, dy shtete anëtare të bllokut, janë shumë të varura nga importet e energjisë ruse dhe shprehen kundër embargos.

Brenda 6 muajsh, ne do të heqim dorë prej furnizimeve nga nafta e papërpunuar ndërsa deri në fund të vitit, edhe nga produktet e rafinuara. Kjo do të jetë ndalesë e plotë ndaj importit të naftës ruse, që vjen nga cisternat dhe tubacionet. Nuk do të jetë e lehtë! Disa shtete anëtare janë shumë të varura nga nafta ruse. Por, ne thjesht duhet të punojmë për këtë.