Bota

Franca, thirrje qytetarëve të saj: Largohuni menjëherë nga Libani!

Sot Franca iu bëri thirrje qytetarëve francezë që ndodhen në Liban, të largohen menjëherë nga ky vend i Lindjes së Mesme e kjo për shkak të frikës në lidhje me shpërthimin e një lufte të përgjithshme mes Izraelit e grupit libanez Hezbollah që mbështetet nga Irani.

Po ashtu, Ministria e Jashtme e Francës përsëriti thirrjen për shtetasit francezë, që të mos udhëtojnë për në Liban.

Parisi zyrtar ndoqi hapat e Uashingtonit dhe Londrës, të cilat një ditë më parë iu kërkuan qytetarëve të tyre, të largohen nga territori i Libanit. Franca vlerëson se rreth 23 mijë shtetas të saj jetojnë në Liban, ndërsa muajin e kaluar ishin afro 10 mijë qytetarë francezë që vizituan vendin e Lindjes së Mesme.

Një thirrje të ngjashme drejtoi dhe Italia. Ndërkohë, Suedia njoftoi se e ka mbyllur ambasadën e Stokholmit në Bejrut, si dhe iu bëri thirrje qytetarëve suedezë që të largohen nga Libani.

Siç edhe dihet tashmë, tensionet në rajon janë shumë të larta, sidomos që pas vrasjes në Iran të Ismail Haniyeh-ut, liderit politik të Hamasit, grupit radikal palestinez të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA dhe Bashkimi Europian, BE. Po ashtu, nga ekzekutimi i një komandanti të lartë të grupit libanez, Hezbollah, javën e kaluar.

Në veçanti, vdekja e Haniyeh-ut në tokën iraniane, si dhe goditjet izraelite ndaj grupeve të mbështetura nga Teherani zyrtar, por që përfshihen në sulme kundër Izraelit, kanë nxitur frikë për rrezikun e shpërthimit të një lufte të drejtpërdrejtë mes Republikës Islamike e Shtetit Hebraik dhe për një konflikt të gjerë në Lindjen e Mesme.

Haniyeh u vra mëngjesin e 31 korrikut në një lagje të pasur në Teheran, pak pasi kishte marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri iranian, Masud Pezeshkian, në Parlament. Irani dhe Hamasi kanë akuzuar Izraelin për vrasjen e Haniyeh-ut e janë zotuar se do të hakmerren.

Deri tani, Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë në lidhje me vrasjen e tij, por as nuk e ka mohuar sulmin që ka rritur frikën e pëshkallëzimit të tensioneve në rajonin e trazuar të Lindjes së Mesme. Ndërkohë vazhdon e ashpër lufta në Rripin e Gazës e Izraeli thotë se nuk tërhiqet derisa të shkatërrohet Hamasi.