Sport

Franca zbulon planet për ceremoninë e “çmendur” të Lojërave Olimpike Paris 2024, spektakël i jashtëzakonshëm!

Organizatorët e Lojërave Olimpike “Paris 2024”, kanë vendosur që ceremoninë e hapjes së Olimpiadës nuk do ta bëjnë në stadiumin olimpik, por në brigjet e lumit Sena. Ata parashikojnë deri në 600 mijë tifozë të pranishëm përgjatë dy brigjeve të lumit Sena, gjatë kohës që do të zgjasë ceremonia e hapjes dhe parakalimi i delegacioneve olimpike.

Me këtë rast më shumë se 160 anije me sportistë, trajnerë dhe drejtues do të lëvizin përgjatë lumit Sena me përfaqësuesit e mbi 200 shteteve pjesëmarrëse gjatë ceremonisë së hapjes.

“Olimpiada është një eksperiencë unike dhe duam që nejrëzit ta ndjejnë atë. Sportistët do të lëvizin përgjatë lumit dhe do të shohin Kullën Eifel, Katedralen Notre Dame, muzeun e Luvrit, poshtë disa urave etj. Do të jetë një ceremoni e hapur, popullore, ku kushdo mund të marrë pjesë, ndërkohë që do të montojmë 80 monitorë të mëdhenj”, janë shprehur organizatorët .

 

Tony Estanguet, presidenti i komitetit organizativ të “Paris 2024”, tha për Guardian, se do të jetë ceremonia e hapjes më “e guximshme dhe më e arritur” në historinë e Lojërave Olimpike.

“Një miliard njerëz do ta shikojnë ceremoninë. Ne duam që ata të ndihen më së miri në Francë. Do të jetë një kombinim unik i një momenti sportiv dhe kulturor, me të gjithë qytetin të kthyer në një stadium të madh olimpik”.

“Sena përfaqëson pistën, kalatat dhe tribunat e spektatorëve,” tha ai. “Ne duam të sigurohemi që do të shfaqim më të mirën e sportit, më të mirën e kulturës dhe do të ofrojmë një shfaqje spektakolare muzikore. Potenciali është i pakufizuar. Dhe mbi 600,000 njerëz do të kenë akses – rreth 10 herë më shumë njerëz se sa në një stadium tradicional.”

Plani i organizatorëve është pjesë e një politike më të gjerë për të rikoncepotuar Lojërat dhe për t’i çuar ato në nivele të reja. Garat do të organizohen gjithashtu në zemër të qytetit, duke përfshirë volejbollin e plazhit rrëzë të Kullës Eifel dhe sportet e kuajve në “Chateau de Versaille”. Garat e çiklizmit dhe vrapimit do të organizohen gjithashtu në lokacione brenda qytetit.

Kjo do të jetë hera e parë në histori që ceremonia e hapjes së një olimpiade verore, do të zhvillohet jashtë një stadiumi olimpik.