Bota

Franca zgjedh postera të veçantë që t’i bindë njerëzit të vaksinohen kundër COVID-it!

“Po, vaksinat mund të kenë efektet e dëshirueshme: vaksinohemi!”.

Kjo është motoja e fushatës së Ministrisë së Shëndetësisë në Francë për të bindur ata që ende kanë dyshime e hezitojnë, në veçanti të rinjtë.

Për t’iu mbushur mendjen se duhet të marrin “dozat magjike”, Parisi zyrtar ka menduar të përqëndrohet te elementët që munguan më shumë gjatë pandemisë: puthjet, përqafimet, liria për të qëndruar bashkë e për të kërcyer pa patur frikë!

Posterat e zgjedhur, që në Francë kanë pushtuar rrugë, lokale, restorante e palestra krahas rrjeteve sociale, synojnë të joshin francezët skeptikë që t’i drejtohen pikës më të afërt të vaksinimit për të kaluar një verë të sigurtë, larg sulmeve të koronavirusit.  Aty gjen çifte që puthen, turma që ndjekin koncerte, pushime në familje me nipër e gjyshër të bërë bashkë, udhëtime ekzotike në plazhet e Francës. Me pak fjalë, një sfidë pozitive që vështirë se mund të shpërfillet.

Por hezitimi për t’u vaksinuar ka goditur edhe vende të tjera.

Në Amerikë, rreth 15 milionë persona, më shumë se një në 10 vetë nuk kanë marrë dozën e dytë të vaksinës anti-COVID. Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, për të munguar në dozën e dytë japin arsye të ndryshme, si dhe ka nga ata që besojnë se iu mjafton vetëm një për t’i mbrojtur.

Disa duan të shmangin efektet anësore ndonjëherë të pakëndshme, ndërsa të tjerë thjesht shtyjnë paraqitjen në qendrën e vaksinimit.