Bota

Fregata turke i zë rrugën anijes greke: Nuk hyni në ujërat tona!

Një luftanije turke i pengoi një anijeje kërkimore greke hyrjen në ato që Ankaraja i konsideron si ujërat e saj territoriale.

Lajmin e përcolli televizioni turk NTV. Tensionet rishfaqen kështu një vit pas acarimit të ndjeshëm të situatës në Mesdheun Lindore i cili rrezikoi të kthehej në një konflikt të hapur mes dy vendeve fqinje dhe aleate të NATO-s.

Fregata, tha NTV, e pengoi anijen greke në përpjekjet e saj për të hyrë në shelfin kontinental turk dhe i dërgoi një mesazh duke e paralajmëruar për pasoja nëse vazhdonte lundrimin në kursin fillestar.

Nuk dihet se kur ndodhi incidenti, por anija kërkimore greke u pa së fundi e ankoruar në portin e Heraklionit në ishullin e Kretës.

Greqia dhe Turqia garojnë prej kohësh për shfrytëzimin e rezervave të gazit në Mesdheun Lindor mes mosmarrëveshjeve të mëdha mbi ujërat përkatëse territoriale. Ankaraja e sheh veten edhe si mbrojtëse të të drejtave të Qipros turke në rajon.