Rajoni

Frika nga ndarja e Bosnjes, specialistë britanikë në vendin ballkanik!

Kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se specialistë ushtarakë të Britanisë së Madhe do të dërgohen në Bosnje-Hercegovinë për të përforcuar misionin e NATO-s e promovuar stabilitetin dhe sigurinë në vend. Në një deklaratë në emër të qeverisë, Johnson u shpreh:

Ne nuk mund të lejojmë që Ballkani Perëndimor të bëhet një tjetër shesh lojërash për synimet e dëmshme të Putinit. Kjo është arsyeja pse ne po rrisim mbështetjen për Bosnje-Hercegovinën, duke iu përgjigjur thirrjes së miqve tanë për të ndihmuar në mbrojtjen e paqes.

Ndër të tjera, qeveria britanike sqaroi se “vendimi erdhi me kërkesë të selisë së NATO-s në Sarajevë, pasi vendi po përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial, ku udhëheqësit secesionistë po punojnë aktivisht për të krijuar ndarje dhe konflikt të mëtejshëm”. Në deklaratë thuhet:

Këto plane mbështeten nga Moska, si pjesë e përpjekjes së presidentit rus Putin, për të minuar integrimin euroatlantik të Bosnje-Hercegovinës dhe stabilitetin e saj.

Përveç kësaj, në dokument theksohet gjithashtu se “Britania e Madhe do të sigurojë 750 mijë paund, për të krijuar një qendër ekselence të sigurisë kibernetike brenda Universitetit të Sarajevës”.

Ndërkohë, në rrjetet sociale, Boris Johnson vuri në dukje se Londra zyrtare po i përgjigjet thirrjes së Bosnje-Hercegovinës, për të ndihmuar në ruajtjen e paqes.

Rusia po nxit dhunën dhe secesionizmin në Bosnje-Hercegovinë për të minuar e destabilizuar rajonin. Ne po i përgjigjemi thirrjes së miqve tanë për të ndihmuar në mbrojtjen e paqes së fituar me vështirësi.

Aktualisht, vendi ballkanik është e përfshirë në një konflikt politik mes boshnjakëve dhe serbëve.