Aktualitet Rajoni

Frika nga Omicron, Greqia kërkon test negativ PCR ose të shpejtë!

Nga sot, personave që udhëtojnë në Greqi iu kërkohet test negativ PCR ose një i shpejtë. Kjo vlen për të gjithë udhëtarët e moshës nga 5-vjeç, pavarësisht nëse janë vaksinuar apo jo. Testi negativ PCR duhet të jetë jo më i vjetër se 72 orë, ndërsa nga i shpejti të mos kenë kaluar 24 orë, në momentin e mbërritjes. Fillimisht, rregullat e reja zgjasin deri më 24 janar. Rreth 35 mijë raste të reja me koronavirus regjistrohen çdo ditë në vendin fqinj me pothuajse 11 milion banorë.

Në vendin tonë, Instituti i Shëndetit Publik i bën apel qytetarëve, të marrin të gjitha dozat e vaksinës anti-COVID/19:

Dozat e vaksinës duhet të merren për të pasur një nivel maksimal të mbrojtjes kundër koronavirusit. Duhen rreth dy javë pas vaksinimit të plotë që trupi të krijojë imunitet të fortë ndaj COVID-19/ës.

Deri tani në vendin tonë janë kryer 2 460 076 vaksinime në total. Vaksinimi masiv anti-COVID vijon në të gjitha pikat e përqendruara: në qendrat shëndetësore, poliklinika si dhe nëpërmjet njësive të lëvizshme në komunitet. Kjo në kuadër të aksionit kombëtar “Derë më derë”. Vaksinimi ndaj COVID-19 është i hapur për të gjithë personat +16 vjeç si dhe fëmijët +12 vjeç me probleme të sistemit imunitar.

Në Kosovë jepet alarmi se situata epidemiologjike mund të përkeqësohet si pasojë e përhapjes së variantit Omicron të koronavirusit. Autoritetet bënë thirrje, të mos ketë grumbullime, të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave. Sipas tyre, “vaksinimi është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga virusi”. Referuar të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, 49.2 për qind e qytetarëve janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës, ndërsa 43.9 me të dytën.

Në Britaninë e Madhe, vazhdon për të pestën ditë radhazi rënia e numrit të rasteve me koronavirus. Kjo pas rekordit të mbi 200 mijë të infektuarve, të martën e kaluar. Në 24 orë janë mbi 141 mijë të prekur, 5 mijë më pak se të shtunën.

Kryeministri Boris Johnson:

Ne mund t’i mbajmë shkollat ​​dhe bizneset tona të hapura dhe mund të gjejmë një mënyrë për të jetuar me këtë virus.