Bota

Frika nga varianti Delta i koronavirusit, shtohen apelet për vaksinim!

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen iu bën thirrje njerëzve të vaksinohen kundër COVID-19/ës ndërsa Delta, varianti më ngjitës i koronavirusit, vazhdon të përhapet. I identifikuar fillimisht në Indi, tashmë ky variant është i pranishëm në të paktën 85 shtete.

Von der Leyen e cilëson “lajm të mirë” që vaksinat ekzistuese kundër COVID-it janë efektive ndaj Deltës.

Unë vetëm mund t’iu bëj thirrje të gjithëve, të vaksinohen! Në këtë mënyrë mbroni veten dhe rrethin tuaj!

Indonezia vendosi sot izolim të pjesshëm në Xhakarta, në Java e Bali, pasi po përballet me valë të re infektimesh për shkak të variantit Delta. Kufizimet e reja do të jenë në fuqi deri më 20 korrik e po bëhen përpjekje që infektimet ditore të zbresin nën 10 mijë raste. Xhamitë, restorantet e qendrat tregtare janë mbyllur për shkak se konsiderohen si vende ku përhapet virusi. Një ditë më parë, Indonezia raportoi mbi 25 mijë infektime të reja e 539 viktima, shifra që përbëjnë rekord.

Në New South Wales të Australisë u regjistrua numri më i lartë i infektimeve ditore. Sidneji është më i godituri e ku ka shpërthim të variantit Delta. Ky qytet ka hyrë në javën e dytë të izolimit.

Ndërkaq, autoritetet në Indi thonë se janë në fazën e tretë të testimeve për vaksinën e prodhuar nga “Bharat Biontech”. Sipas tyre, kjo vaksinë ka shfaqur 93.4% efektivitet ndaj rasteve të rënda me COVID-19, 65.2% mbrojtje kundrejt variantit Delta e 77.8% efikasitet përballë simptomave të koronavirusit. India përdor vaksinën AstraZeneca, të prodhuar në Institutin Serum, që këtë muaj planifikon të rrisë prodhimin në thuajse 100 milionë doza. “Bharat Biotech” ka vlerësuar se mund të prodhojë 23 milionë doza të vaksinës gjatë një muaji.

Ndërkaq, në Hungari janë lehtësuar shumë prej masave kufizuese ndërsa është përshpejtuar fushata e vaksinimit. Rreth 5.5 milionë persona në këtë shtet me 10 milionë banorë, tashmë kanë marrë të paktën një dozë, duke bërë që qeveria të arrijë synimin sa i përket vaksinimit. Në Hungari, mbajtja e maskës duhet vetëm në spitale e institucione të tjera, siç janë shtëpitë e kujdesit për të moshuarit.