Aktualitet

Fshehu dënimin në Greqi, dënohet kryebashkiaku i Mallakastrës!

Kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj u dënua sot me 6 muaj burg që iu konvertuan në 40 orë punë në interes publik e duhet të jetë në kontakt të rregullt me Shërbimin e Provës.

Në aplikim të Nenit 63 të Kodit Penal, vendoset pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurin Qerim Ismailaj dhe detyrimin për kryerjen e një pune në interes publik, pa shpërblim, për një kohë prej 40 (dyzet) orësh, e cila do të përmbushet brenda afatit prej 6 muajsh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës.

Në një prononcim për mediat, pas seancës, Ismailaj bëri të ditur se për pafajësinë e tij do të vijojë betejën në të gjitha shkallët e drejtësisë.  Ai tha se nuk do të japë dorëheqjen nga drejtimi i Bashkisë, ndërsa shprehu bindjen në pafajësinë e tij.

Kam bindjen në pafajësinë time të plotë. Do të ndjek të gjitha procedurat dhe do të vazhdoj betejën time në të gjitha shkallët e drejtësisë. Jo, nuk do të jap dorëheqjen nga mandati.

Tetorin e kaluar, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK kërkoi një vit burg për kryebashkiakun e Mallakastrës, i akuzuar për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.

Në pretencën e SPAK-ut thuhej se Ismailaj fshehu problemet me drejtësinë në Greqi duke mos i raportuar ato në formularin e dekriminalizimit. Qerim Ismailaj u kallëzua nga Partia Demokratike, sipas së cilës, ka qenë i dënuar në Greqi me 3 vjet burg për veprën penale të konfliktit dhe përleshjes që i korrespondon dëmtimeve të tjera me dashje.