Aktualitet

Fund seancës maratonë, me 76 vota, Kuvendi miraton Buxhetin 2023!

Pas një seance maratonë që nisi një ditë më parë dhe u shënua nga debate të forta e akuza mes qeverisë dhe opozitës, sot Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektbuxhetin e vitit 2023. 76 vota ishin pro, 41 kundër e nuk pati abstenime. Opozita ka përsëritur qëndrimin se ky projektbuxhet jo vetëm që nuk mbështet shtresat në nevojë, por rrit barrën për ta duke shtuar taksat përmes Paketës Fiskale. Nga ndryshimet në taksa do të mblidhen 130 milion euro.

Për opozitën, buxheti i vitit të ardhshëm përmban vetëm rritje taksash dhe do t’i japë një goditje të mëtejshme shtresës së mesme, ndërsa nuk mbron më të varfrit. Kreu demokrat Sali Berisha u shpreh se “ky është projektimi i vjedhjes më të madhe që i është bërë ndonjëherë shqiptarëve në të gjithë historinë”.

Ndërsa për qeverinë, ky projektbuxhet është “mënyra si do të zgjidhet kriza e çmimeve e do të përballohen inflacioni e shtrenjtimi i energjisë”. Kryeministri Edi Rama vuri në dukje se ky projektbuxhet parashikon zero taksa për biznesin e vogël deri në vitin 2029. Në projektbuxhetin 2023, parashikohet një nivel shpenzimesh prej 5.8 miliardë eurosh dhe një plan ambicioz në mbledhjen e të ardhurave prej 5.3 miliardë eurosh. Kriza dukshëm pritet te ngadalësojë ekonominë shqiptare dhe sipas parashikimeve të qeverisë, vitin që vjen rritja do të jetë 2.6%.

Buxheti për programet e mbrojtjes sociale rritet me 5% më shumë krahasuar me buxhetin e rishikuar 2022 duke garantuar mbështetjen e mbi 64 mijë familjeve, pjesë e programit të ndihmës ekonomike, mbështetjen e qëndrueshme të mburojës sociale lidhur me dyfishimin e masës së ndihmës ekonomike për nënat me 2 fëmijë, pas mbështetjes së atyre me 3 e më shumë fëmijë, dyfishimin e masës së ndihmës ekonomike për të moshuarit mbi 65 vjeç pa pension pleqërie apo pension social, si dhe mbështetjen e programit të pagesave për mbi 164 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre.