Aktualitet

Dallgët fundosin mjetin, shpëtohet nga mbytja 35 vjeçari në Shëngjin!

Shpëtohet nga mbytja një 35-vjeçar, që rrezikoi të mbytej në det nga dallgët. Ai kishte dalë në det bashkë me familjen me një mjet të vogël lundrues ku si pasojë e dallgëve të mëdha mjeti u fundos.

Shërbimet e Policisë kufitare Shëngjin kanë marrë një telefonatë se një mjet lundrues ka dalë në det dhe si pasojë e dallgëve të mëdha personat që ishin në bord rrezikonin të mbyteshin në grykëderdhjen e lumit Buna. Shërbimet e Policisë Kufitare kanë dalë me mjetin lundrues të Policisë menjëherë në drejtim të adresës së dhënë dhe kanë njoftuar edhe sherbimet e Policisë Kufitare Shkodër. Si rezultat i operacionit të përbashkët të Policisë Kufitare u bë e mundur të shpëtohet shtetasi: D.P., 35 vjeç”, -njofton policia.

Mjeti ishte nisur nga Shëngjini për në grykëderdhjen e lumit Buna, ku familjarët kanë mundur të zbrisnin nga mjeti lundrues, ndërsa shtetasi D.P., nuk ka arritur të zbresë, pasi e kanë tërhequr dallgët duke e përmbysur dhe fundosur mjetin e tij lundrues.

Ndërhyrja në kohë e Policisë Kufitare, bëri të mundur shpëtimin e shtetasit D.P, i cili është dërguar në spitalin Rajonal Shkodër dhe ndodhet nën kujdesin mjekësor, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa familjarët janë dërguar në banesën e tyre në Shëngjin.