Rajoni

Furnizimi me energji i veriut të Kosovës i kalon edhe zyrtarisht Elektroseverit!

Zyra e Rregullatorit për Energjinë e Kosovës, ZRRE miratoi sot licencën për kompaninë Elektrosever, për furnizimin e veriut të Kosovës me energji elektrike. Bordi i ZRRE-së votoi me pesë vota pro dhe asnjë kundër. Elektrosever është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të këtij shteti. E njëjta do të bëjë si furnizimin, ashtu edhe faturimin e energjisë elektrike që konsumohet nga qytetarët në veriun me shumicë serbe.

Licencimi i saj përfshihet në një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për energjinë, akord i arritur në vitin 2013, por dakordësia lidhur me zbatimin e tij u mundësua më 21 qershor, pra tre ditë më parë. Me këtë marrëveshje, gjithashtu përcaktohet që konsumatorët në veri ta paguajnë vetë energjinë e konsumuar.

Nga fundi i luftës, më 1999-ën e deri më 2017-ën, energjinë për ta e kanë paguar qytetarë të pjesëve të tjera të Kosovës. Më tej, prej pesë vitesh, për shkak të ankesave të shumta, pagesat po rëndojnë te qeveria e Kosovës.

Veriu i Kosovës i banuar me shumicë serbe, ka refuzuar pagesën për shkak të mosbindjes qytetare, por edhe ndikimit të strukturave të ndryshme atje, që kanë vepruar nën direktivat serbe të Beogradit.

Kryesuesi i Bordit të ZRRE-se, Ymer Fejzullahu, tha sot se “qytetarët e katër komunave në veri: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç e Zveçan do të faturohen me çmimet që i ofron kompania furnizuese, Elektrosever”.

Ndërkaq, ZRRE-ja miraton çdo vit tarifat për operatorët e tjerë energjetikë. Më 21 qershor, kryenegociatori i Kosovës në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian me Serbinë, Besnik Bislimi pati deklaruar se “Elektrosever-i nuk do të prodhojë energji, por pritet ta blejë atë si nga Korporata Energjetike e Kosovës, ashtu edhe nga një tjetër ofertues në tregun ndërkombëtar, ndërsa pagesën do ta bëjë vetë. Kjo nënkupton që Elektroseveri mund të marrë apo blejë energji edhe nga kompania serbe, EPS.