Bota

Furnizmi me grurë, bisedime Moskë-Kiev-Ankara për gjetjen e një zgjidhjeje!

Një linjë emergjente komunikimi është krijuar midis Ministrive të Mbrojtjes të Rusisë, Ukrainës dhe Turqisë për të diskutuar mbi menaxhimin e korridoreve detare për eksportet e grurit nga portet ukrainase.

Përfaqësuesit që do të drejtojnë këtë korridor do të identifikohen në radhët e forcave të armatosura përkatëse në nivel gjeneralësh.

Lajmin e ka bërë të ditur televizioni shtetëror turk “TRT” .

Lufta e Rusisë ka shkaktuar alarm mbi furnizimet ushqimore nga Ukraina drejt pjesës tjetër të botës dhe furnizimet me gaz nga Rusia, si dhe ka ngritur pikëpyetje për sigurinë në Evropën Perëndimore. Ushtria ruse aktualisht kontrollon rreth 95% të rajonit të Luhanskut. Por Moska ka luftuar për javë të tëra për ta pushtuar plotësisht atë, pavarësisht se ka vendosur trupa shtesë dhe ka një avantazh të madh në asetet ushtarake.

Në qytetin e Severodonjeckut, një nga pikat më të nxehta të luftimeve, trupat ukrainase kanë arritur të rezistojnë në fabrikën e lëndëve kimike Azot, ku janë duke u strehuar edhe qindra civilë. Sipas guvernatorit Serhiy Haidiai, forcat ruse po e shndërrojnë zonën “në rrënoja”.

“Është një katastrofë e vërtetë”, deklaroi Haidai për AP. “Pozicionet tona po goditen vazhdimisht me mortaja, raketahedhës të shumtë, artileri të kalibrit të madh, sulme me raketa.”