Fushata presidenciale e Donald Trump-it, kandidatit republikan për president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës deklaroi se disa komunikime të brendshme i janë zbuluar nga hakerat dhe fajësoi qeverinë iraniane. Në një reagim përmenden armiqësitë e kaluara mes ish-presidentit dhe Iranit, në kohën kur Trump e ka fajësuar Teheranin. Por, nuk u ofruan dëshmi konkrete se iranianët janë pas sulmit kibernetik.
Ekipi i fushatës së Trump-it doli me një deklaratë, pak pasi e përditshmja “Politico” raportoi se ka nisur të pranojë email-e në korrik nga një burim anonim, që i ka ofruar dokumente autentike prej operacioneve të fushatës së Trump-it, përfshirë një raport për kandidatin e republikanëve për zv.president, J.D.Vance, si dhe “dobësitë e tij të mundshme”.
Këto dokumente janë siguruar ilegalisht prej burimeve të huaja armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara e që kanë qëllim ndërhyrjen në zgjedhjet e vitit 2024, si dhe krijimin e kaosit brenda procesit tonë demokratik, deklaroi zëdhënësi i fushatës së Trump-it, Steven Cheung.
Më vonë, në platformën e tij sociale, Social Truth, Trump tha se gjiganti teknologjik, Microsoft e informoi fushatën e tij se Irani i ka hakeruar njërën prej faqeve. Ish-presidenti amerikan fajësoi Teheranin duke thënë se ai “mund të sigurojë vetëm informacion publik” dhe nuk ka dhënë më shumë hollësi për hakerimin.
Misioni i përhershëm i Iranit në Kombet e Bashkuara, në Nju Jork, reagoi përmes një e-mail/i duke deklaruar:
Qeveria iraniane as nuk ka dhe as nuk synon të ketë ndonjë motiv për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Donald Trump ka pasur marrëdhënie të tensionuara me Iranin që kur ka qenë në pushtet, në krye të Shtëpisë së Bardhë. Nën drejtimin e tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vranë komandantin ushtarak iranian, Qassem Soleimani në vitin 2020, si dhe janë tërhequr prej marrëveshjes bërthamore, që kanë nënshkruar fuqitë botërore me Republikën Islamike.
Iranianët e shohin që presidenti Trump nuk do të ndalë tmerrin ndaj tyre, ashtu siç ka bërë në katër vitet e para në Shtëpinë e Bardhë, u shpreh Cheung.
Trump i ka mbijetuar një atentati në korrik. Ndonëse nuk pati sugjerime se i dyshuari ka qenë i lidhur me Iranin, rrjeti televiziv amerikan, CNN, raportoi muajin e kaluar që inteligjenca amerikane ka informacione për një komplot iranian kundër Trump-it, i cili në nëntor do të përballet me demokraten Kamala Harris. Në anën tjetër, Teherani i ka hedhur poshtë këto akuza.