Aktualitet

Fushata zgjedhore, Prokuroria e Përgjithshme: 9 kallëzime nga partitë, 6 të arrestuar

Prokuroria e Përgjithshme bëri një përmbledhje në lidhje me fushatën zgjedhore dhe zgjedhjet e zhvilluara më 14 maj.

Më anë të një njoftimi zyrtar është bërë me dije se janë paraqitur 9 kallëzime nga subjekte politike dhe institucione ndërsa në total janë regjistruar 31 kallëzime penale.

Janë arrestuar në flagrancë 6 persona, prej të cilëve 2 në Sarandë, 2 në Tiranë, 2 në Vlorë.

Njoftimi i Prokurorisë:

Në vijim të masave administrative dhe procedurale të ndërmarra nga Prokurori i Përgjithshëm për të garantuar funksionimin normal të prokurorisë në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ligjore për periudhën para dhe pas zgjedhore, prokuroria është angazhuar për hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve, në kompetencë lëndore të juridiksionit të përgjithshëm.

Deri në datën 18.05.2023 Prokuroritë e Shkallës së Parë të juridiksionit të përgjithshëm kanë raportuar pranë Prokurorisë së Përgjithshme, mbi veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve si më poshtë:

Janë paraqitur 9 kallëzime nga subjekte politike dhe institucione dhe 21 referime nga policia gjyqësore e Drejtorive Vendore të Policisë dhe e Komisariateve të Policisë.
Janë regjistruar gjithesej 31 kallëzime penale. Prej të cilave:

5 kallëzime penale në Prokurorinë e Elbasanit;
4 kallëzime penale në Prokurorinë e Vlorës;
4 kallëzime penale në Prokurorinë e Beratit;
3 kallëzime penale në Prokurorinë e Durrësit;
3 kallëzime penale në Prokurorinë e Kukësit;
3 kallëzime penale në Prokurorinë Gjirokastër;
2 kallëzime penale në Prokurorinë Fier;
2 kallëzime penale në Prokurorinë e Dibrës;
2 kallëzime penale në Prokurorinë Tiranë;
1 kallëzim penal në Prokurorinë e Korçës;
1 kallëzim penal në Prokurorinë Shkodër; dhe
1 kallëzim penal në Prokurorinë Sarandë.

Janë regjistruar gjithësej 18 procedime penale për veprat penale të parashikuara nga nenet 326/a, 327/1, 328, 328/a/1, 329, 330, 331/a, 190, 248, 84 të Kodit Penal. Prej të cilave 4 në Prokurorinë e Elbasanit, 1 në Prokurorinë e Korçës, 1 në Prokurorinë e Kukësit, 4 në Prokurorinë e Beratit, 1 në Prokurorinë e Fierit, 1 në Prokurorinë e Shkodrës, 1 në Prokurorinë e Vlorës, 2 në Prokurorinë e Gjirokastër, 1 në Prokurorinë e Sarandës dhe 2 në Prokurorinë e Tiranës.
Është vendosur mosfillim i hetimeve për 3 kallëzime penale, prej të cilave 2 mosfillime nga Prokuroria Dibër dhe 1 mosfillim nga Prokuroria Gjirokastër.
Kallëzimet e tjera janë në fazë verifikimi.
I është atribuar vepra penale 25 personave.
Janë arrestuar në flagrancë 6 persona, prej të cilëve 2 në Sarandë, 2 në Tiranë, 2 në Vlorë.
Është caktuar si masë sigurimi “arrest në burg”, vetëm për një person nga Prokuroria Vlorë.
Janë kaluar për kompetencë hetimi në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar 3 procedime penale, 2 nga Prokuroria Berat dhe 1 nga Prokuroria Vlorë.
SPAK ka deklaruar më heret për TCH se i janë referuar vetëm 21 raste nga subjektet politike dhe në të tjera janë qytetarët ata që kanë kërkuar hetime. në zgjedhjet e kaluara politika kërkoi hetime për krime zgjedhore në 84 raste. SPAK ka pranuarpër Top Channel se në total, ku përfshihen edhe delegimet e policisë dhe të prokurorive të tjera numërohen 41 materiale, prej të cilave ka regjistruar 19, dhe 16 janë ende nën proces verifikimi. Por me gjithë këto statistika, SPAK nuk konfirmon nëse nga përgjimet ndaj disa personazheve të botës së krimit, nën hetim për dosje të tjera, a rezulton apo jo që ata të jenë angazhuar gjatë votimeve, thënë ndryshe nuk konfirmohet a u përdoren apo jo prej tyre metodat ekstrazgjedhore.