Sport

Futboll, Shqipëria U-21 përballet sot me Çekinë!

Shqipëria U-21 zhvillon sot në orën 19:00, ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Republikës Çeke, e vlefshme për Kampionatin Europian 2023 e që do të transmetohet live në SuperSport 2. Në prag të kësaj sfide të rëndësishme, trajneri i skuadrës U-21, Alban Bushi doli në një konferencë për mediat, ku u ndal te gjendja e skuadrës dhe synimet e ekipit për këtë ndeshje. Tekniku kuqezi foli me optimizëm:

Në përgjithësi jemi shumë mirë. Jam shumë i kënaqur nga i gjithë grupi, fizikisht janë shumë mirë, pavarësisht mungesave nga ikjet në ekipin e parë, që na i kanë prishur pak ekuilibrat! Por, jemi munduar që ta miksojmë pak grupin edhe për ditëlindjet për sezonin tjetër 2002, 2003, 2004. Në përgjithësi skuadra është mirë, sidomos ditën e djeshme ka qenë një stërvitje shumë e mirë dhe më kanë bërë shumë optimist.

Si objektiv kryesor të skuadrës U-21, Bushi veçon furnizimin e Kombëtares A me lojtarë të rinj, që është një objektiv i realizuar, por kjo nuk i shërben ekipit U-21 në ndeshjet e tyre.

U bëra disa vite në drejtimin e skuadrës U-21 dhe kemi pasur probleme gjithmonë. Ne jemi një vend i vogël dhe objektivat nuk janë madhor për U-21. Pra, objektivi ynë është personal, lojtarët duan të kualifikohen në Europian, por si objektiv madhor ne kemi Ekipin A. Kemi çuar shumë lojtarë në Ekipin A si asnjëherë më parë! Shqipëria ka 80% të ekipit me lojtarë që i kanë ardhur nga moshat dhe për këtë arsye jemi shumë të gëzuar dhe të lumtur, si Federatë, si Drejtori Teknike sepse është bërë një punë shumë e mirë te moshat, por gjithsesi na prish edhe neve pak ekuilibrat sepse 2-3 lojtarë të mirë, po të lëvizin nga U-21 bëjnë diferencën dhe kur përballesh më pas me ekipe të forta dhe me cilësi duhet të marrësh edhe rezultat. Kjo na i ka prishur pak objektivat që kishim, por gjithsesi jemi të lumtur sepse po shkojmë mirë.

Barazimi nuk do ta kënaqte Bushin, i cili thekson se “që nga ndeshja e fundit me Çekinë, skuadra ka mësuar shumë dhe i ka marrë masat për t’u paraqitur në mënyrën më dinjitoze të mundshme”. Sa i përket formacionit që do të hedhë sot në fushë, trajneri shprehet:

Nuk mund të themi ekipi ideal sepse kemi mungesa shumë, si Bajrami dhe Asllani që ne i kishim programuar për këtë ndeshje, por janë tek Ekipi A dhe i kanë prishur pak ekuilibrat. Por, me lojtarët që kam, jam shumë i kënaqur nga ata dhe e dinë se çfarë duhet të bëjnë, e dinë se çfarë i pret, e dinë se si duhet të luftojnë, e dinë objektivin tonë që nëse ne fitojmë me Çekinë i afrohemi një pikë atyre e kemi edhe tre ndeshje të tjera, pavarësisht se dy janë me Anglinë dhe një është me Kosovën, por në futboll çdo gjë mund të ndodhë.