Bota

G20 diskuton përballimin e pandemisë koronavirus!

Ministrat e Shëndetësisë të vendeve të G20-ës takohen sot në Romë, për të diskutuar përpjekjet globale në frenimin e përhapjes së koronavirusit dhe hapat e ardhshëm që duhet të ndërmerren për t’u përballur me pandeminë.

Në kryeqytetin italian, diskutimet do të përqëndrohen edhe në strategjitë që duhen përgatitur për t’u përballur me pandemitë e ardhshme. Organizatorët theksuan se qëllimi i takimit është të paraqesë mesazhin e bashkëpunimit e solidaritetit.

Një ditë më parë, ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza takoi ekspertë të shëndetit mendor, që cilësohet me shumë rëndësi në shëndetin e përgjithshëm të njerëzve. Gjithashtu, ministrat do të diskutojnë mënyrat për të përmirësuar format si ndahen njohuritë shkencore e si të bëhet më e drejtë qasja në vaksina.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) iu bëri thirrje udhëheqësve botërorë, të angazhohen për të rregulluar qasjen e barabartë në vaksina kundër COVID-19, që të parandalohet një valë e re e të infektuarve.

Zyrtari i lartë i OBSH-së, Bruce Aylward:

Janë ndoshta 20 njerëz në botë, vendimtarë për zgjidhjen e këtij problemi barazie. Ne kemi nevojë që ata 20 persona të thonë se do ta zgjidhin këtë problem deri në fund të shtatorit. Ne do të sigurohemi që 10% e çdo vendi të jetë i vaksinuar.