Bota

G20, takim në Itali për pandeminë koronavirus!

Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të G20-ës takohen sot në Itali për të diskutuar krizat globale me theks të veçantë, pandeminë koronavirus. Në dy vjet, ky është takimi i parë në prani fizike për shkak të kufizimeve të krizës shëndetësore globale.

Grupi përbëhet nga 20 vendet më të fuqishme ekonomike të botës.

Në takimin një-ditor në qytetin jugor Matera do të ketë diskutime mbi mënyrën e përmirësimit të bashkëpunimit për një sërë çështjesh, përfshirë shëndetin global, ndryshimet e klimës e tregtinë ndërkombëtare.

Kryediplomati italian, Luigi Di Maio:

Pandemia ka nxjerrë në pah nevojën për një përgjigje ndërkombëtare ndaj emergjencave që kapërcejnë kufijtë kombëtarë.

Italia që mban presidencën e radhës së G20-ës nënvizoi se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet zhvillimit të qëndrueshëm në Afrikë.

Vendet anëtare të G20-ës përbëjnë më shumë se 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në nivel botëror, 75% të tregtisë globale dhe 60% të popullsisë së planetit.

Në takimin në Matera marrin pjesë edhe shefat e diplomacive të Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Britanisë, Francës, Gjermanisë e Indisë. Ministrat e Jashtëm të Kinës, Brazilit e Australisë vendosën t’i ndjekin diskutimet online ndërsa Rusia dhe Koreja e Jugut dërguan zëvendësministra.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas pritet të kritikojë Kinën e Rusinë për mënyrën si përdorën vaksinat kundër koronavirusit, për të rritur ndikimin në vende të caktuara.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përsëriti rëndësinë e furnizimit me vaksina të vendeve të varfëra.

Kriza shëndetësore përkeqësoi pabarazinë ekonomike në botë dhe G20 do të vazhdojë të ndihmojë vendet me të ardhura të ulëta.