Bota

G7 specifikon planin rival ndaj nismës kineze “Brezi dhe Rruga”

Të mbledhur në një samit tre-ditor në Gjermani, vend që ka presidencën e radhës së G7-ës, anëtarët e grupit të shtatë shteteve më të industrializuara, shpalosën detajet e planit mbi përdorimin e 600 miliardë dollarëve, lidhur me ndarjen e fondeve për vendet në zhvillim. Ky projekt shihet si një opsion, për të rivalizuar iniciativën kineze, “Brezi dhe Rruga”.

E njohur si skema “Partneritet për Infrastrukturë Globale dhe Investime”, për herë të parë u prezantua vitin e kaluar, në kohën kur sapo kishte zhvilluar punimet Samiti i G7-ës, në Angli.

Presidenti amerikan Joe Biden, bën të ditur se “plani garanton kthimin e parave për secilin”, ndërsa iniciativa kineze është kritikuar për zhytje të shteteve në borxhe të mëdha. Në lidhje me skemën, shefi i Shtëpisë së Bardhë u shpreh:

Dua të jem i qartë. Kjo nuk është ndihmë, as bamirësi! Eshtë investim që garanton kthimin e parave për secilin. Skema u mundëson shteteve që të shohin përfitime konkrete nga partneriteti me demokracitë.

Plani u bën thirrje liderëve të G7-ës që të mbledhin 600 miliardë dollarë brenda pesë viteve, për të ndarë fonde që shkojnë për projekte infrastrukturore në shtetet me të ardhura të mesme apo të ulëta.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë zotuar për të ndarë 200 miliardë dollarë përmes granteve, fondeve federale e investimeve private. Ndërkohë, Bashkimi Europian zotohet të japë 300 miliardë euro.

Nisma ka si qëllim kryesor, të ndihmojë shtetet në luftën e vazhdueshme ndaj ndryshimeve të klimës, si edhe në përmirësimin e shëndetit global, në ofrimin e barazisë gjinore e në ndërtimin e infrastrukturës digjitale.

Disa prej projekteve kyçe përfshijnë një me energji diellore në Angola, një fabrikë vaksinash në Senegal dhe një kabllo nënujor telekomunikimi që lidh Singaporin me Francën, përmes Egjiptit.

Grupi G7 ka në përbërje Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën, Italinë, Kanadanë e Japoninë.