Rajoni

Gabriel Escobar: Tensionet në veri të Kosovës ishin të shmangshme!

Për Shtetet e Bashkuara, përshkallëzimi i tensioneve në veri të Kosovës ishte i shmangshëm. Për BBC-në, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, deklaroi:

Pjesërisht, ky përshkallëzim ishte rezultat i mungesës së gatishmërisë së palës kosovare që të dëgjonte komunitetin ndërkombëtar. Ajo i provokoi tensionet në mënyrë të panevojshme, duke insistuar në shfrytëzimin e objekteve komunale. Ekzistojnë ndërtesa të tjera nga ku mund të bëhet puna dhe nëse jo, pandemia na mësoi që mund të punojmë dhe nga vende alternative.

Escobar u shpreh se “përpjekjet e faktorit ndërkombëtar për t’u koordinuar me qeverinë e Kosovës, hasën në rezistencë”.

Nuk kishte nevojë të shkohej në ato ndërtesa. Ato nuk kanë ndonjë vlerë reale. Kurti na siguroi që ata kryetarë do të ushtrojnë vetëm autoritetet administrativ, për të kryer shërbime bazike komunale.

Zyrtari amerikan përsëriti se duhet të thyhet cikli i dhunës e se të dyja palët, si Kosova ashtu dhe Serbia kanë përgjegjësi për të vepruar në atë drejtim.

Shumë pjesëtarë të komunitetit ndërkombëtar janë duke e parë këtë situatë si përballje mes Kosovës e Serbisë. Por, na duhet të kujtojmë se këtu ekziston dhe një dështim për arritur pajtim etnik brenda Kosovës. Ne i kemi inkurajuar të dyja palët që të angazhohen në dialog.

Më 30 maj, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se si pasojë e moskoordinimit të qeverisë me SHBA-të për veprimet në veri, Prishtina është përjashtuar nga stërvitjet më të mëdha ushtarake të aleatëve të NATO-s në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe 2023”.

I pyetur se çfarë kërkon Amerika nga Kurti, deklaroi se kryeministrit të Kosovës i janë dhënë shumë porosi:

Ne e kemi porositur t’i tërheqë kryetarët nga ndërtesat komunale, t’i largojë zyrtarët policorë nga ndërtesat dhe që më pas, me urgjencë, të nisin diskutimet për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Një ditë më parë, Bashkimi Europian kërkoi nga Kosova të pezullojë operacionet policore në afërsi të komunave, si dhe të mbajë zgjedhje të jashtëzakonshme në veri. BE-ja pret që edhe pjesëtarë të komunitetit serb të marrin pjesë në to.

Sa i përket Serbisë, faktori ndërkombëtar i kërkon të ulë gjendjen e gatishmërisë ushtarake e të ndihmojë në uljen e tensioneve në mesin e protestuesve serbë në veri. Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së nisën negociatat për normalizimin e marrëdhënieve, më 2011-ën. Palët nënshkruan disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.