Sport

Gara për “Topin e Artë”, ja 5 pretendendët më të fortë sipas L’Equipe!

Gara për “Topin e Artë” tashmë po konsumon “metrat” e fundit. Numërimi mbrapsht do të ndalet më 29 nëntor, kur “France Football” të shpallë fituesin. Janë 30 të nominuar, por vetëm disa favoritë për ta fituar çmimin e madh.

Pas dominimit të Messit dhe Cristiano Ronaldos, me përjashtim të trofeut që iu dha Modriçit në 2018, ky edicion është edhe një herë shumë i hapur. Hegjemonia e dy yjeve që kanë dominuar më shumë se dekadën e fundit mund të prishet.

“L’Equipe” nxjerr në pah në kopertinën e saj pesë lojtarë, nga të cilët mund të dalë fituesi.

Karim Benzema

Futbollisti i Real Madrid-it është një nga favoritët për çmimin. Performanca e Karim në fushë është e jashtëzakonshme, si me të bardhët, ashtu edhe me ekipin e tij kombëtar, me të cilin shënoi një gol të shkëlqyer në finalen e Ligës së Kombeve, kundër Spanjës, ndeshjen e fundit.

Në moshën 33-vjeçare, Benzema mund ta marrë “Topin e Artë” si francez, diçka që nuk ka ndodhur që kur Zinedine Zidane e fitoi atë më 1998. Kjo është hera e dhjetë që nominohet dhe klasifikimi i tij më i mirë përfundimtar ishte pozicioni i 16-të në vitin 2014.

Lionel Messi

Argjentinasi ishte fituesi i edicionit të fundit të “Topit të Artë” në vitin 2019 (vitin e kaluar trofeu u pezullua për shkak të pandemisë) dhe tani aspiron ta përsërisë. Messi ka fituar titullin e tij të parë me Argjentinën këtë sezon, duke u shpallur kampion i Kupës së Amerikës. Edhe pse sezoni me Barcelonën nuk ishte i shkëlqyeshëm, ai fitoi “Copa del Rey” dhe shtoi një trofe më shumë “Pichichi” (golashënuesi më i mirë i La Liga-s) në koleksionin e tij.

Messi është gjithmonë aty. Ai është një nga favoritët për “Topin e Artë”, një trofe që e ka fituar tashmë gjashtë herë. Ka qenë një vit ndryshimesh për Leon, i cili përfundoi karrierën e tij te Barcelona këtë verë, klubi nga i cili u largua për të nënshkruar me PSG.

Robert Lewandowski

Ai ishte “i zgjedhuri” për ta fituar “Topin e Artë” për vitin 2020, por anulimi i edicionit për shkak të pandemisë ndoshta e privoi atë nga shtimi i çmimit të lakmuar. Tani sulmuesi i Bayern Munich është përsëri në mesin e kandidatëve. Sezonin e kaluar ai fitoi tre tituj me ekipin bavarez: Bundesligën, Botërorin për Klube dhe Superkupën Gjermane.

Ajo që polakut nuk i mungoi është takimi i tij me golin. Me 41 gola në 29 ndeshje të Bundesligës, ai theu rekordin e Gerd Müller, që kishte qenë në fuqi nga edicioni 1971-1972. Dhe Lewandowski humbi një muaj (mosaktivizim) për shkak të dëmtimit në gju. Gola që e kanë lejuar atë të fitojë “Këpucën e Artë” për herë të parë në karrierë.

Jorginho 

Ai është një tjetër nga kandidatët me shumë peshë për t’u shpallur fitues. “Gradat” që ka marrë, pa dyshim, e favorizojnë për këtë. Jorginho ka fituar Champions-in me Chelsea sezonin e kaluar, pastaj Kampionatin Evropian me Italinë, kësaj vere. Po kështu, fitoi edhe Superkupën e Europës. Si në ekipin e tij, ashtu edhe në kombëtare, mesfushori është pjesë themelore.

Cristiano Ronaldo 

Portugezi gjithmonë duhet të merret parasysh. Ai e ka fituar “Topin e Artë” pesë herë dhe kjo i jep një status të veçantë. Edhe pse nuk kaloi fazën e tij më të mirë te Juventusi, CR7 e përfundoi Serie A si golashënuesi më i mirë: me 29 gola në 33 ndeshje. Me “Zonjën e Vjetër”, ai fitoi Kupën e Italisë.

Me Portugalinë ishte mbresëlënës. Me pesë gola, ai u shpall golashënuesi më i mirë i “Euro 2020”, përpara Patrick Schick të Republikës Çeke, i cili gjithashtu shënoi pesë gola. Sidoqoftë, “Këpuca e Artë” shkoi te Cristiano Ronaldo, sepse portugezi dha gjithashtu një asist. Në verë la Juventusin për Manchester United dhe mbërritja te “Djajtë e Kuq” i ka dhënë skuadrës një bonus. Ai tashmë ka shënuar disa gola.