Bota

Garë e ngushtë, ende nuk dihet kush do ta kontrollojë Kongresin Amerikan!

Pas zgjedhjeve të djeshme në Shtetet e Bashkuara, ende nuk dihet se kush do të ketë kontrollin e Kongresit Amerikan, duke lënë të paqartë nëse republikanët do t’ia marrin demokratëve të presidentit Joe Biden. Kongresi përbëhet nga Dhoma e Përfaqësuesve ku sipas Associated Press, republikanët fituan 190 vende, kundrejt demokratëve, 154, si dhe nga Senati, gara për të cilin është më e ashpër, pasi ende mbetet e hapur në disa shtete kyçe.

Demokrati John Fetterman deklaroi fitoren në Pensilvani e nëse shpallet fitues në këtë shtet do të ishte e rëndësishme për demokratët në Senat. Sipas AP-së, me fitoren e Fettermanit, deri tani demokratët sigurojnë 48 vende në Senat, kundrejt republikanëve me një më pak. Po në lidhje me Senatin, garat në Arizona, Xhorxhia dhe Nevada, ende po konsiderohen të hapura.

Gara në Xhorxhia mund të shkojë në balotazh, që do të mbahej më 6 dhjetor, dhe ky shtet mund të jetë kyç për të përcaktuar balancën në Senat. Para zgjedhjeve, sondazhet kanë treguar se ka pasur një rënie të vlerësimit për punën e Bidenit dhe votuesit kanë qenë të zemëruar për shkak të nivelit të inflacionit. Por, republikanët, si senatori Lindsey Graham, presin të fitojnë shumicën në Senat.

Mendoj se kur do të përfundojë gara ne do të kemi 51 apo 52 vende.

Megjithatë, nëse dy partitë, ajo demokrate dhe republikane kanë të njëjtin numër vendesh në Senat, automatikisht demokratët marrin shumicën, pasi përcaktuese bëhet vota e zv.presidentes Kamala Harris.

Edhe një shumicë e ngushtë e republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, do t’iu mundësonte të bllokonin prioritetet e Bidenit. Mbi 46 milion amerikanë votuan para ditës së zgjedhjeve, përmes postës apo votimit në qendrat përkatëse. Por, zyrtarët shtetërorë zgjedhorë paralajmëruan se numërimi i këtyre votave do të marrë kohë.

Inflacioni i lartë dhe të drejtat e abortit ishin ndër shqetësimet kryesore të votuesve e sipas sondazheve, një në tre zgjedhës ka zgjedhur njërën prej këtyre dy temave si shqetësime kryesore. Krimi, në fokusin e republikanëve gjatë javëve të fundit të fushatës, po ashtu ka qenë një prej çështjeve kryesore të përmendura nga një në dhjetë votues.

Në Amerikë, inflacioni vjetor është 8.2%, niveli më i lartë i shënuar në 40 vjet. Shifra paraqiti pengesë për demokratët gjatë fushatës. Një sondazh i realizuar nga Reuters/Ipsos zbuloi se 39% e amerikanëve pajtoheshin me mënyrën si ka punuar Biden. Ndërkaq, sipas të njëjtit sondazh, ish-presidenti Donald Trump, ka një përqindje pothuajse të njëjtë, me 41% e të pyeturve që e shohin si favorit.

Në Kongres, nëse republikanët kontrollojnë Dhomën, kjo do të paraqiste kërcënim për prioritetet e demokratëve si të drejtat e abortit dhe ndryshimet klimatike. Ndërkaq, në Senat, republikanët do të mund të bllokonin emërimet e Biden-it në sistemin e drejtësisë.