Rajoni

Gati për sulme terroriste në Kosovë, zbulohet celula e ISIS

Autoritetet në Kosovë bëjnë me dije se kanë arrestuar 4 persona gjatë një operacioni të kryer në disa qytete të vendit të akuzuar për terrorizëm. Personat e ndaluar, dyshohet se kishin kontakte me një drejtues të lartë të organizatës terroriste të Shtetit Islamik dhe po përgatisnin sulme ndaj civilëve.

Dy nga të arrestuarit kishin siguruar armë të ndryshme dhe municione, ndërsa një i tretë ka qenë në dijeni se një person ishte duke përgatitur sulme në Vjenë të Austrisë dhe nuk kishte njoftuar autoritetet.

Personi i katër akuzohet për financim të terrorizmit, pasi i kishte dhënë mbi 2000 euro një shtetasi për blerjen e një sasie armatimi që dyshohet se do të përdorej për sulmet.

Sipas njoftimit, A.Gj., E.S., N.S dh M.B., nga marsi i vitit 2021 deri në tetor të po atij viti, kishin bërë përpjekje të krijonin një strukturë organizative “për kryerjen e akteve terroriste në Kosovë”.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit kishin kontaktuar me një person që kishte një gradë të lartë “në organizatën terroriste Shteti Islamik” dhe janë angazhuar që të sigurojnë armatime të ndryshme.

Veprat për të cilat dyshohen janë: Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës si dhe për kryerjen e veprës terroriste.

Ndërkaq, dy të pandehur po ashtu akuzohen se kanë fshehur armë të zjarrit dhe municion të llojeve të ndryshme, të cilat i kanë vendosur në bure të plastikës dhe i kanë groposur.

Sipas ligjeve në Kosovë, për vepra terroriste dhe kundër rendit kushtetues parashihen dënime të ndryshme. Që nga viti 2015, në Kosovë po ashtu ndalohet pjesëmarrja në luftëra të huaja dhe sipas ligjit, parashihen dënime deri në 15 vjet burgim.