Aktualitet

Gati rruga e re “Grigor Cilka”/Veliaj: Liron trafikun e shmang rrëshqitjen e dherave!

Përfundon rruga e re “Grigor Cilka” që lidh Njësinë 2 me lagjet e Farkës. Pasi falënderoi banorët për durimin dhe punëtorët që kryen punimet në një kohë të shkurtër, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se përveçse do të rrisë vlerën e pronës, pritet edhe që të lehtësoje ndjeshëm qarkullimin e mjeteve.

Kemi hedhur beton, çelik dhe hekur për të mbajtur shtëpitë, duke investuar një vlerë më të madhe se vetë shtëpia. Fakti që kemi pasur mirëkuptimin tuaj dhe fakti se të gjithë kanë qenë bashkëpunues, më bën të ndihem krenar. Shpresoj që rrugët kapilare të çlirojnë pak trafikun. Trafiku që krijohet te rrethrrotullimi i Saukut dhe rrethrrotullimi i Lundrës është një trafik i panevojshëm, sidomos për ata që në fakt, e kanë më kollaj të përdorin rrugët dytësore për të shkuar në shtëpi.

Veliaj përmendi një lajm të mirë për banorët, kur tha se qeveria ka miratuar vendimin që mundëson lehtësimin e procedurave në zonat rurale, kur bëhet fjalë për ndërtimin e një papafingoje, riparimin e një çatie, veshjen e banesave me sistem kapot apo vendosjen e mureve mbajtëse dhe rrethuese.

Për këto punë, deri dje, njerëzit duhet të vinin te bashkia e madhe, të bënin procedura me arkitektë, çka kushtonte më shumë arkitekti se vetë çatia e shtëpisë. Më vjen mirë që ky non sens u zgjidh me dashamirësinë e vullnetin e kryeministrit dhe shumicës tonë në qeveri. Kjo nuk do të thotë se duhet abuzuar, por bëhet për t’i lehtësuar jetën qytetarëve.

Erozioni dhe rrëshqitja e dherave, janë shqetësime që banorët nuk do t’i hasin më pas investimit në rrugën “Grigor Cilka”.  Veliaj i ftoi qytetarët për bashkëpunim, që siç theksoi “punët e mira të vazhdojnë” ndërsa përmendi disa prej projekteve.

Ende kemi punë për Teatrin e Ri, për Kopshtin Botanik dhe Terminalin te Kthesa e Kamzës, por ndërkohë jemi fokusuar edhe me investime në lagje, në rrugët që lidhin njësitë. Deri dje na dukej se ishte fundi i botës në ndarjen mes zonës rurale e asaj urbane. Por, kur bëhet rruga në Zall-Bastar, kur bëhet rruga në Krrabë, kur bëhet rruga në Zall-Herr, atëherë edhe zona rurale ia merr të mirat qytetit, duke ruajtur traditën dhe jetesën në një zonë të jashtëzakonshme.

Me apelin ndaj qytetarëve që të sinjalizojnë çdo problematikë, kryebashkiaku iu rikujtoi të aplikojnë për të përfituar nga “Fondi i Komunitetit”, ku 50% të vlerës e paguan bashkia dhe 50% mblidhet nga kontributet e banorëve.

Kush ka nevojë që pallati i tyre të vishet me sistem kapot, kush ka nevojë për një ashensor, kush ka nevojë për panele diellore, bashkia paguan gjysmën e investimit.