Aktualitet

Gazetarët pa Kufi publikojnë Indeksin e Lirisë së Shtypit, Shqipëria e 83-ta mes 180 vendeve

Gazetaria është bllokuar plotësisht ose pjesërisht në 73% të 180 vendeve të botës. Në këtë përfundim arrin Organizata Gazetarët pa Kufi (RSF), në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit 2021, ku flet për “përkeqësim dramatik të gjendjes së gazetarisë”. Pandemia e koronavirusit është përdorur si bazë për të bllokuar qasjen e gazetarëve në burimet e informacionit dhe raportimin në terren.

Në renditjen e Gazetarëve pa Kufi, vendet klasifikohen në “ambiente të mira”, “pak a shumë të mira”, “problematike”, “të këqija” dhe “shumë të këqija”. Në Hartën Botërore të Lirisë së Shtypit, përkatësisht identifikohen me ngjyrë të bardhë, të verdhë, portokalli, të kuqe e të zezë.

Vetëm në 7% të shteteve, mjedisi për gazetarinë rezulton “shumë i mirë”, shifra më e ulët në 8 vjet.

Të dhënat e Indeksit tregojnë se gazetarët e kanë gjithnjë e më të vështirë të investigojnë e njoftojnë për tema të ndjeshme, veçanërisht në Azi, Lindjen e Mesme dhe Europë.

Sekretari i Përgjithshëm i RSF-së, Christophe Deloire Orgazuara:

Gazetaria është vaksina më e mirë kundër dezinformimit. Por për fat të keq, prodhimi dhe shpërndarja e saj shpesh bllokohet nga faktorë politikë, ekonomikë, teknologjikë e ndonjëherë edhe kulturorë. Në përgjigje të përhapjes së dezinformimit përtej kufijve, në platformat dixhitale dhe në mediat sociale, gazetaria është rruga kryesore për të siguruar që debati publik të bazohet në një rreze të gjerë e të larmishme faktesh.

Europa regjistroi përkeqësim të konsiderueshëm në treguesin e “abuzimeve”, me më shumë se dyfishin e akteve të dhunës në Bashkimin Europian dhe Ballkan, krahasuar me një përkeqësim prej 17% në të gjithë botën. Sulmet ndaj gazetarëve e arrestimet arbitrare u rritën në Gjermani, Francë, Itali, Poloni, Greqi që ra 5 vende, Serbi e Bullgari.

Shqipëria dhe Kosova radhiten mes shteteve “problematike”. Nga 180 vende, renditemi të 83-ët duke fituar një vend nga viti i kaluar. Kosova pësoi rënie prej 8 vendesh nga 70 vitin e kaluar, në 78 këtë vit. Maqedonia e Veriut ka fituar dy vende, nga 92, në 90.

Për të pestin vit radhazi, Norvegjia renditet e para ndonëse media vendase janë ankuar për mungesën e qasjes në informacionin shtetëror mbi pandeminë. Finlanda e ruajti vendin e dytë, e ndjekur nga Suedia e Danimarka. Kjo radhitje konfirmon qartë suksesin e “modelit nordik” në përkrahjen e lirisë së shtypit.

Shtetet e Bashkuara mbajnë vendin e 44-rt. Viti i fundit i presidencës së Donald Trump-it u shoqërua nga numër rekord sulmesh kundër gazetarëve, rreth 400 dhe arrestime të tyre, 130.

Rusia është e 150-ta e në kategorinë e vendeve me gjendje “të keqe”. Moska e përdori aparatin shtypës për të kufizuar mbulimin mediatik të protestave në mbështetje të kundërshtarit të Kremlinit, Alexei Navalny.

Kina vazhdon të përdorë censurën dhe nivelet e propagandës në internet, në nivele të pashembullta. Përsëri gjendet mes vendeve me gjendje “shumë të keqe”, e 177-ta mes 180 shteteve. E njëjta treshe e vendeve totalitare vijojnë të fundit: Turkmenistani, Koreja e Veriut dhe Eritrea.