Aktualitet

Gazetarja e BBC-së Yalda Hakim, shpreh mirënjohje për mikëpritjen shqiptare ndaj afganëve!

Në Shëngjin të Lezhës, vajza afgane që ndodhen në vendin tonë pas largimit nga Afganistani për t’i shpëtuar regjimit taleban u takuan me gazetaren e prezantuesen e njohur të BBC World News, Yalda Hakim. Fondacioni që drejton “The Yalda Hakim Foundation” nxorri nga Afganistani 59 studentë nga American University of Kabul, bashkë me disa gazetarë e komedianë.

38-vjeçarja e lindur në Kabul, e rritur në Australi dhe që prej 10 vitesh jeton në Londër shprehet me shumë mirënjohje për mikpritjen dhe miqësinë që shqiptarët treguan për afganët.

Kur kryeministri tha se ju keni qenë “afganë” më parë dhe “kemi një dhimbje të përbashkët”, kjo është prova nga çfarë po dëgjoj nga njerëzit këtu, se sa mirënjohës janë ndaj shqiptarëve.

Hakim tregoi dhe për telefonatën live në transmetim me një zëdhënës taleban, i cili u përpoq ta siguronte se nuk do të vrasin e sulmojnë.

Por, të gjithë këta njerëz vazhdonin të ishin shumë të nervozuar. Rënia e Kabulit ishte ditë tragjike dhe kuptuam se ra puna e mrekullueshme e bërë në 20 vite nga shumë njerëz që janë edhe këtu, për të ndërtuar vendin e tyre. Ata nuk donin të iknin, donin të qëndronin, por rrethanat ishin të tilla që duhej të vraponin për të shpëtuar jetën.

“The Yalda Hakim Foundation” ia doli të shkollojë me qindra vajza e djem në pamundësi ekonomike në vazhdimin e studimeve të larta. Ndërkaq, jo vetëm nuk i braktisi, por përmes njohjeve, fondacioni i gazetares ndërmori një operacion shpëtimi duke i nxjerrë nga Kabuli. Për afganët, Yalda Hakim është “Vajza e Kombit”.