Aktualitet Politikë

Gazment Bardhi: “Më 11 dhjetor, nuk ka Kuvend të Partisë Demokratike!”

Publikimin për mediat të firmave për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së më 11 dhjetor nga Edi Paloka, Gazment Bardhi e cilëson “shou” dhe “veprim në ilegalitet”. Edhe sot, Sekretari i Përgjithshëm kërkoi respektimin e statutit të partisë dhe dorëzimin e firmave për mbledhjen e Kuvendit, në Protokollin e Selisë Blu.

Shpreh shqetësimin e thellë për vijimin e talljes me demokratët dhe shqiptarët. Jeni bërë pa dëshirën tuaj dëshmitarë të procesit të talljes dhe fyerjes së çdo anëtari të PD.

Bardhi kishte të njëjtën thirrje:

Dua të përsëris apelin tim drejtuar kujtdo që gjykon se duhet të mblidhet Kuvendi Kombëtar dhe pretendon se ka arritur të sigurojë kuorumin për nisjen e procedurave për mbledhjen e Kuvendit: të ndjekë procedurat sipas Statutit! Sot nuk janë fyer vetëm anëtarët, por edhe ajo pakicë që ka besuar në lëvizjen e zotit Berisha.

Numri dy i Selisë Blu shtoi:

Edhe sikur të jenë arritur 1/8 apo 1/10, siç janë të dhënat tona, ato nuk mund të mbyllen në kasafortë. Edhe zëri i kësaj pakice duhet të dëgjohet nga institucionet e partisë.

Nxirrni firmat nga kasaforta, mos bëni show me gazetarët që nuk janë në gjendje të verifikojnë vetë që nuk janë delegatë, por nuk verifikojnë dot janë apo jo anëtarë, apo në territorin e Shqipërisë!

Ftesa ime është të respektoni Statutin! Kërkesa duhet të dorëzohet në protokollin e PD-së, institucionet të shqyrtojnë kërkesën dhe zëri i demokratëve të dëgjohet, qoftë ky edhe pakica e pakicës.

Nëse dikush ka vendosur të veprojë si celulë apo në ilegalitet, është i lirë të veprojë, por jo në emër të demokratëve dhe jo në emër të PD-së! Shkresat tona kanë një numër protokolli. Paloka e di shumë mirë se ushtron funksione të larta. Kryetari i Këshillit Kombëtar është një zyrtar i lartë i PD-së, nuk është roje kasaforte.

Gazment Bardhi përsëriti qëndrimin se më 11 dhjetor nuk ka Kuvend.

Në datë 11 nuk ka Kuvend, por ka miting. Kjo është e drejta e tyre, por Kuvend nuk ka. Demokratët nuk dëgjohen duke i mbyllur në kasafortë, por duke e çuar zërin e tyre tek institucionet e partisë. Në kasafortë mund të mbyllin hallet personale, por jo demokratët. Demokratët kanë vetëm 1 hall: të rrëzojnë 1 orë e më parë regjimin e Edi Ramës!