Celebrities Pardon My French

Genc Fuga dhe Lulzim Zeqja flasin për “Edmond” në “Pardon My French”!

“Pardon My French” vjen edhe këtë të mërkurë me një tjetër episod dinamik. Të ftuarit specialë nuk mungojnë në programin tuaj të preferuar të të mërkurave, teksa sot ishin të pranishëm në studio plot katër të ftuar. Në pjesën e parë të emisionit, për një intervistë shumë speciale ishin Genc Fuga dhe Lulzim Zeqja të cilët folën për shfaqen e tyre “Edmond”.

Aktorët zbuluan se i kishin pritur shfaqet me shumë mall, pasi periudha e pandemisë shkaktoi një distancë mes tyre dhe publikut. Më tej, ata treguan gjithçka rreth shfaqes franceze të përshtatur me Shqipërinë, teksa zbuluan se janë bërë prova të gjata për rreth dy muaj të plotë.

Dukshëm një shfaqe ndryshe, teksa 13 aktorë interpretojnë 38 karaktere, me një trajtim regjisorial shumë të veçantë. Artistët theksuan lojën profesioniste karakteriale që kërkon vepra, ndryshe nga shumë të tjera. Gjithashtu, Genci dhe Lulzimi treguan rreth planeve të tyre në role të tjera në teatër, teksa edhe një ftesë kinematografike do të ishte më se e kënaqshme.

Ndërkohë, veç anës profesionale, aktorët e mirënjohur u ndalën edhe tek aspekti më personal. Ata treguan më shumë për fëmijët e tyre, teksa zbuluan a do të pranonin apo jo në rast se fëmijët e tyre kërkonin të ndiqnin të njejtën rrugë profesionale si edhe prindërit.