Rajoni

GERB fitoi zgjedhjet në Bullgari, por kriza politike thellohet!

Partia bullgare e qendrës së djathtë, GERB, e ish-kryeministrit Boyko Borissov, pritet të fitojë zgjedhjet në Bullgari, të katërtat në më pak se dy vjet. Por, mundësitë për të formuar koalicion qeveritar mbeten të paqarta. Pas numërimit të 99 për qind të votave, autoritetet thanë se GERB ka fituar 25.4 për qind të votave.

Rivalja kryesore, partia reformiste, Ne vazhdojmë ndryshimin, e Kiril Petkovit, doli e dyta me 20.2 për qind. Këto rezultate çojnë në bisedime të vështira për koalicion në një parlament të ndarë. Ka rrezik që Bullgaria të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme. Secili prej këtyre skenarëve do të mund të zgjasë mungesën e stabilitetit në kohën e krizës së energjisë dhe rritjes së çmimeve për konsumatorët. Një situatë e tillë mund të dëmtojë edhe përpjekjet e Bullgarisë që në vitin 2024 të bëhet pjesë e Eurozonës. Borissov ende nuk e ka komentuar rezultatin zgjedhor.

Partia Ne vazhdojmë ndryshimin e pranoi humbjen dhe bëri të ditur se do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë. Petkov deklaroi:

Ne jemi zotuar se nuk do të hyjmë në koalicion me partinë GERB dhe do të vazhdojmë të mbajmë atë premtim. Partia jonë është këmbëngulëse në luftën ndaj korrupsionit endemik. Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të një dite më parë, pritet të bëhen publike të enjten e kësaj jave.

Qeveria e fundit e drejtuar nga Kiril Petkov u rrëzua në qershor, vetëm gjashtë muaj pasi mori mandatin. Një prej partnerëve doli nga koalicioni qeverisës. Petkov, në krye të partisë pro-reformatore, Ne Vazhdojmë Ndryshimin (PP) është përballur me sfida në përmbushjen e zotimeve të tij për të çrrënjosur korrupsionin. Po ashtu ka mbështetur Ukrainën në luftën kundër Rusisë, vend që tradicionalisht ruan raporte të mira me Bullgarinë. Ndër të tjera, Petkov akuzoi Kremlinin se ndihmoi në orkestrimin e rrëzimit të qeverisë së tij, pasi Bullgaria refuzoi ta paguante me rubla, gazin rus.