Aktualitet

Gërdeci, Shkëzen Berisha thirret në SPAK!

Çështja Gërdeci, Shkëlzen Berisha thirret në SPAK. Sot në orën 10:00 të mëngjesit, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha duhet të jetë në mjediset e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, për t’u marrë në pyetje nga prokurori i çështjes së Gërdecit, Klodian Braho. Mbi një muaj më parë aty ishte Aldo Bumçi, i cili dëshmoi në SPAK po për çështjen e Gërdecit, ndërsa më 10 janar, ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu nga SPAK iu komunikua akuza “Për shpërdorim detyre”. Kjo në lidhje me shpërthimet e 15 marsit të vitit 2008 në një fabrikë të demontimit të armëve e municioneve në fshatin Gërdec të Tiranës. 26 persona humbën jetën dhe rreth 300 u plagosën.

Fatmir Mediu, ministër i Mbrojtjes në atë kohë, tha se motivi është politik dhe u shpreh i pafajshëm, se sipas tij nuk ishte urdhri i ministrit që shkaktoi tragjedinë.

Më është prezantuar i njëjti fashikull, e njëjta akuzë si në vitin 2009, pa shtuar asnjë dokument dhe as provë shtesë, akuzë për shpërdorim detyre, kam kërkuar që të pyetem, nuk jam pyetur asnjëherë. Shpresoj që të merrem në pyetje. Motivi politik është në akuzë, nuk është urdhri i ministrit që ka provuar problemin, çdo letër që nxora ka ardhur nga pjesa civile dhe ushtarake. Akuzën nuk e pranoj, jam i pafajshëm, demontimi është çështje sigurie kombëtare.

Eshtë e qartë se nuk kam asnjëlloj dijenie, as nuk e di se kush ka firmosur. Nëse do të gjenin një marrëdhënie timen me këtë çështje, gjithë përgjegjësinë e marr unë. Nuk kam pasur asnjëlloj kontakti me firmën amerikane që merrej me demontimin. Këtu ka shumë çështje që vlerësohen nga unë në mënyrë subjektive. Unë u njoha me aktet dhe jam i gatshëm që në çdo kohë të më thërrasin të përgjigjem për çdo gërmë që kam firmosur. Kam shpresuar se do të ketë drejtësi.