Bota

Ghislaine Maxwell fajtore, viktimat e abuzimeve seksuale shumë të lumtura!

Ghislaine Maxwell shpallet fajtore për rekrutimin dhe trafikimin e vajzave të reja, të abuzuara seksualisht nga financieri amerikan, Jeffrey Epstein, i cili dy vjet më parë, i dha fund jetës, duke kryer vetëvrasje në qeli, në një burg federal në Manhattan. Ai priste nisjen e gjyqit. Një gjykatë në Nju Jork e shpalli fajtore për 5 nga 6 akuza, përfshirë trafikimin seksual të të miturave. 60-vjeçarja u shfaq e ftohtë në sallën e gjyqit dhe u mjaftua vetëm me një spërkatje të fytyrës me ujë. Ekipi i saj ligjor paralajmëroi se do ta apelojë vendimin.

Annie Farmer, njëra nga gratë që dëshmoi kundër Maxwell-it, deklaroi:

Jam shumë e çliruar që gjykata e identifikoi sjelljen e saj. Shpresoj që ky vendim t’i ngushëllojë të gjithë ata që kanë nevojë ta dinë se askush nuk është mbi ligjin.

Prokurori Damian Williams e përshëndeti vendimin duke “përgëzuar” viktimat për kurajon që të flasin hapur. Bashkëpunëtorja e ngushtë e Epstein-it, mbahet në qeli prej korrikut 2020. Ghislaine është vajza e vogël e manjantit të mediave, Robert Maxwell, i cili ndërroi jetë në vitin 1991. Pak pas ndarjes së tij nga jeta, ajo udhëtoi nga Britania e Madhe drejt Shteteve të Bashkuara, ku takoi financierin me të cilin pati një lidhje dashurie që nuk zgjati shumë vite, por qëndroi në krah të tij edhe pas ndarjes. Falë saj, Epstein krijoi miqësi me figura të fuqishme, si ish-presidentin amerikan, Bill Clinton dhe princin Andrew.

Përgjatë gjykimit, mbrojtja theksonte se Ghislaine u fajësua për krimet e kryera nga Epstein, por për akuzën nuk kishte dyshime se ata ishin partnerë në krim, në krye te një “skeme piramidale abuzimi”. Referuar të dhënave bankare, prokurorët treguan se ka pranuar 30 milion dollarë nga Epstein në periudhën 1999-2007. Të gjitha paditëset rrëfyen se janë abuzuar seksualisht nga Epstein, para se të mbushnin 18-vjeç dhe se Maxwell u ka kërkuar, ndërmjetësuar e me raste edhe ka marrë pjesë në aktet seksuale.

Vetëm Annie Farmet, doli me emrin e vërtetë gjatë dëshmisë, ndërsa të tjerat përdorën pseudonime, për të mbrojtur identitetet.

Virginia Giuffre është gjithashtu njëra nga gratë më të njohura që ka akuzuar Maxwell-in dhe Epstein-in, duke thënë se “në tre raste, u detyrua të kryente marrëdhënie seksuale me Princin Andrew”, i cili nuk pranon gjë.

Prej vitesh, shpirti im kërkonte drejtësi e sot juria ma dha. Do ta kujtoj këtë ditë përjetë!

Tashmë, pritet data e dhënies së dënimit për Maxwell-in.