Aktualitet

Gjakmarrja Lekstakaj-Nikulaj, Londra refuzoi ekstradimin e Pjetër Lekstakajt më 2007-ën!

Shqipëria ka nisur përpjekjet për të ekstraduar nga Anglia një shqiptar dhe tre britanikë, nën dyshim e përfshirjes në vrasjen e Ardian Nikulajt në Shëngjin, më 19 prill. Ata janë Edmond Haxhia, Steven Hunt, Thomas Mithan e Harriet Bridgeman ndërsa në arrati ndodhen Harry Simpson e portugezi Ruben Saraiva. Në vitin 2007, Shqipëria dështoi në ekstradimin nga Anglia të Pjetër Lekstakajt nga familja Lekstakaj, në gjakmarrje me atë Nikulaj.

Muhamed Veliu, i cili kur ishte korrespondent i Top Channel në Londër e ka raportuar këtë ekstradim të dështuar, risjell detajet. Dosja “Nikulaj” me 300 faqe përkthyer në kohë rekord nga Ministria e Drejtësisë, bashkë me një letër garanci për një gjyq të drejtë, firmosur nga ministri Ulsi Manja i ka shkuar gjykatës në Londër.

Kërkesa për ekstradim nga Anglia e një shqiptari dhe tre anglezëve nën dyshimet se u përfshinë në vrasjen e Ardian Nikulajt është hera e dytë për shtetin shqiptar. Shqipëria kërkon të ekstradojë persona, të përfshirë në një konflikt që daton nga viti 1997 mes familjeve Lekstakaj e Nikulaj.

Pjetër Lekstakaj, në vitin 2007 do të arrestohej në qytetin e Birminghamit me qëllim ekstradimi në Shqipëri. Pjetër Lekstakaj i ndoqi seancat gjyqësore të ekstradimit në gjendje të lirë me kusht, si pasojë e gjendjes së tij shëndetësore.

Gjykata e Ekstradimeve në Londër me kërkesë të Top Channel vuri në dispozicion vendimin për këtë çështje ku thuhet:

Ekstradimi i Pjetër Lekstakajt kërkohet nga shteti shqiptar pasi ai është dënuar në mungesë me 10 vite burg për tentativë vrasje e përdorim armësh luftarake.

Disa muaj më pas, kjo gjykatë e refuzoi kërkesën e Shqipërisë për të ekstraduar ngas Anglia, Pjetër Lekstakajn me këtë arsyetim.

Duke marrë në konsideratë situatën shëndetësore mendore të tij, konstatojmë se ai përbën një risk të lartë për vetëvrasje dhe kërkon kujdes 24 orë nga bashkëshortja. Ai nuk mund të përballet me rigjykim. Në të tilla kushte, nuk do të ishte i drejtë lejimi i ekstradimit të tij. Në Shqipëri ka kujdesje të limituar në trajtimin e depresionit ndaj këtij personi, si në QSUT apo spitalin e burgut.

Nëntë vite më pas nga ky proces ekstradimi në Londër, Eltoni djali Pjetër Lekstakajt do t’i dërgonte një kërkesë kryeprokurorit të Lezhës për të marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtur e për të ardhur në Shqipëri bashkë me babanë Pjetrin dhe nënën, për të dëshmuar.

Ata donin të depozitonin dëshmitë e tyre për vrasjen e Gëzim Lekstakajt dhe të Laurent Gjetjas më 28.09.1997, bashkë me atë të Gjovalin Lekstakajt më 30.09.1999 ku mbeti i plagosur Pjetër Lekstakaj. Kjo nuk u realizua asnjëherë.

Nëse Pjetër Lekstakaj do të ekstradohej nga Anglia në Shqipëri dhe në rast se djalit të tij do t’i merrej dëshmia e më pas të vepronte drejtësia shqiptare, atëherë do të realizohej një shkëputje e zinxhirit të gjakmarrjes. E me të gjitha gjasat kjo do të shërbente për të mos ia marrë jetën Ardian Nikulajt, bazuar në ligjet e Kanunit, siç dyshohet deri tani./Top Channel