Travel

Gjallërohet turizmi gjatë prillit; rriten hyrjet e shtetasve të huaj

Turizmi po rikuperon me shpejtësi humbjet që shënoi nga pandemia. Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se hyrjet e shtetasve të huaj janë rritur me shpejtësi në prill, ku ndikimin kryesor e ka dhënë Kosova, por gjithsesi mbeten 41% më pak se në prillin e 2019-s, përpara krizës së pandemisë

Për 4 mujorin, hyrjet e shtetasve të huaj mbeten ende 31% më të ulëta se në nivelet e parakrizës (janar-prill 2019), të ndikuara kryesisht nga hezitimi i turistëve të Europës për të lëvizur, ndërsa hyrjet e shtetasve të Kosovës janë 21% më të larta se 4 mujori i parë 2019 .

Sipas INSTAT, Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Prill 2021, janë 466.283, duke pësuar një rritje të ndjeshme me 18,5 herë, krahasuar me Prill 2020. Numri i shtetasve të huaj të hyrë në territorin shqiptar është 241.015 ose 19,8 herë më i lartë se i njëjti muaj i vitit paraardhës.

Ndryshimet e treguesve të lëvizjes së shtetasve, janë ndikuar nga masat e pandemisë të vendosura në muajin Prill 2020.

Hyrjet e shtetasve

Gjatë katërmujorit të parë të 2021, numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri është 754.796, duke u rritur me 1,3 herë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Duke analizuar vendin e origjinës së shtetasve të hyrë në Shqipëri, Kosova ka pasur rritjen më të madhe me 2,1 herë dhe Zvicra me 2 herë, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Greqia me 4,4 herë dhe Anglia me 60,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Daljet e shtetasve

Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Prill 2021, janë 449.930 duke shënuar një rritje me 18,8 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë është 230.468 ose 12,7 herë më i lartë se i njëjti muaj i vitit paraardhës. Numri i shtetasve të huaj të dalë nga territori i Shqipërisë është 219.462 ose 16,5 herë më i lartë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjatë katëmujorit të parë të 2021 numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë është 961.573. Ky tregues ishte 1.110.928 në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kosova mban gjallë turizmin

Rëndësia e turizmit nga Kosova është rritur ndjeshëm që pas pandemisë. Sipas të dhënave të INSTAT, për 4 mujorin, pesha e turistëve nga Kosova është rritur në 51% të totalit, nga 29% që ishte në janar-prill 2019, përpara fillimit të pandemisë. Numri i turistëve nga Kosova është i lartë në çdo fundjavë, duke shpëtuar hotelet që dikur në këtë periudhë prisnin turistët nga Polonia, vendet nordike etj.