Art & Kulturë Celebrities

Gjashtë vjet nga shenjtërimi, Vatikani nxjerr monedhë me Nënë Terezën

Në 6 vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, Vatikani njoftoi sot se ka nxjerrë një monedhë të vecantë ku shfaqet portreti i saj.

Në monedhë është shkruar “NËNË TERESA E KALKUTËS” dhe në fund “CITTÁ DEL VATICANO”.

6 vjet më parë, Papa Françesku, duke lexuar formulën e shenjtë në emrin e Zotit e shpalli Nënë Terezën shenjtore duke e quajtur Shën Tereza.

Humanistja shqiptare ndërroi jetë në 5 shtator 1997, në Kalkutë të Indisë.

Në një ceremoni madhështore 6 vite më parë në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan, Papa Françesku, njohu dy mrekullitë e Nënë Terezës, të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes së saj më 1997. “Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”, janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, që jetën e saj ia përkushtoi të varfërve.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhrin e saj të murgeshave të quajtur Misionarët e Bamirësisë.

Nga ky moment Nenë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t’ia dedikonte tërësisht të varfërve. Urdhri i Nënë Terezës numëron mbi 4000 misionarë dhe është shtrirë në mbi 100 vende të botës. Nëne Tereza nuk e pranoi asnjëherë famën. Ajo ka thënë se gjithçka e bënte për hir të dashurisë së Zotit.