Botë e Çuditshme Design Lifestyle Travel

Gjatë karantinës shumë njerëz na surprizuan me kreativitetin e tyre por ky inxhinier mekanik thjesht na la “gojëhapur”…

Ndërsa bota ishte e mbyllur brenda gjatë pandemisë, inxhinieri mekanik indian me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, Ashok Aliseril Thamarakshan e shfrytëzoi sa më mirë kohën e tij dhe ndërtoi një aeroplan. 38-vjeçari i cili është gjithashtu një pilot privat, ëndërronte të krijonte një avion personal për të marrë familjen e tij në udhëtime dhe kishte frikë nga aeroplanët me qira, të cilët ai tha se zakonisht janë të vjetër dhe të pasigurt për t’u fluturuar.

Inxhinieri mekanik tha se fillimisht kishte planifikuar të porosiste pjesë avioni dhe ta ndërtonte atë me kolegët e tij në shtëpinë e tij, por karantina e vitit 2020 nuk i la atij zgjidhje tjetër veçse ta përfundonte vetë. I quajtur sipas vajzës së tij më të vogël Diya, avioni “G-Diya” me ngjyrë të kuqe metalike mund të transportojë deri në katër persona duke përfshirë pilotin dhe të arrijë rreth 250 km (155 milje) në një orë.

Pasi mori lejen për të fluturuar, Thamarakshan fluturoi nëpër katër vende evropiane me miqtë e tij dhe gjithashtu ka shkuar në një udhëtim me familjen e tij prej katër anëtarësh. “Aeroplani është thjesht për qëllime rekreative, nuk kishte asnjë qëllim tregtar dhe nuk e bëra për atë lloj qëllimi”,-tha Thamarakshan. Kostoja e ndërtimit të avionit të tij është afërsisht 226 mijë dollarë.

Industria e aviacionit çliron më shumë se 900 milionë ton CO2 (dioksidin e kardonit) çdo vit, rreth 3% e të gjitha emetimeve të karbonit të shkaktuara nga njeriu përmes aktiviteteve të tij. Ndikimi negativ në planet pritet të rritet me rritjen e numrit të pasagjerëve, si rezultat edhe numrit të udhëtimeve.

Një nga rrugët që po eksplorohet për të ulur gazrat serë është krijimi i aeroplanëve elektrikë. Në këtë drejtim, vlerësohet se elektrifikimi i avionëve që do të përdoreshin për udhëtime mund të jetë ende shumë larg, por vitet e fundit ka pasur përparim të rëndësishëm në udhëtimet me distanca të shkurtra.