Bota

Gjenden dokumente sekrete në një stacion autobusi në Mbretërinë e Bashkuar!

Disa dokumente top sekrete të Ministrisë së Mbrojtjes britanike të cilat përmbanin informacione rreth kalimit të anijes luftarake britanike në ujërat e Krimesë një javë më parë, janë gjetur në një stacion autobusi në Kent.

Dokumenti prej 50 faqesh thuhet se diskuton reagimin e mundshëm rus ndaj kalimit të luftanijes britanike në ujërat e Ukrainës e më pas në brigjet e Krimesë dhe një tjetër përcakton planet për një prani të mundshme ushtarake të MB në Afganistan pasi operacioni i NATO-s i udhëhequr nga SHBA mbaron këtë vit.

Ministri britanik i mbrojtjes ka nisur hetimet pas zbulimit, në një stacion autobusi në Kent.

Ministria britanike konfirmoi se dokumentet janë gjetur nga një qytetar i cili i ka dorëzuar në zyrën e objekteve të humbura.

Ndërkohë që një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes, tha se do të ishte e papërshtashme të thuheshin detaje të tjera ndërsa një hetim ka filluar për incidentin.

Mes dokumenteve ka dhe disa vlerësime për rrezikun e reagimeve agresive nga ana e Rusisë pas kalimit para Krimesë së anijes britanike të luftës. Pas zbulimit, të cilin zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse e cilësoi si provokimin e radhës, duket se Londra ka përllogaritur rrezikun duke konfirmuar gjithsesi misionin përballë rajonit të aneksuar nga Moska, për të dhënë një sinjal politik.

Pas incidentit, ministria e jashtme ruse kërkoi në takim ambasadoren britanike, të cilës iu dorëzua një notë zyrtare proteste.