Art & Kulturë Sot Nuk Është e Hënë

“Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryqtari i Fundit”, dritë mbi historinë e vërtetë të Skënderbeut!

“Sot Nuk Është e Hënë”, një emisionet më të ndjekura në Top Albania Radio, ka sjellë sërish rubrikën e librit të përzgjedhur nga Koloreto Cukali. Këtë herë ai na sugjeron “Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryqtari i Fundit“, një libër nga Virgjil Kule. Por për çfarë bëhet fjalë?

Historia personale e heroit kombëtar të shqiptarëve ashtu si nuk e keni ditur më parë…Libri është me të gjithë kuptimin e fjalës “unik” pasi e tregon Skënderbeun ndryshe nga sa e njohim deri më sot ne shqiptarët.

Në këtë libër, i cili do ta ndryshojë një herë e mirë perceptimin mitik që kemi për Skëndërbeun, figura e tij shfaqet reale, njerëzore, inteligjente dhe dinake. Tek “Kryqtari i fundit”, Skënderbeu nuk paraqitet më si një i pashpresë që ‘bredh’ lart e poshtë me shpatë në dorë në mbrojtje të oborrit të fqinjëve, duke sakrifikuar gjakun e popullit të vet, por si një diplomat dinak, i cili gjatë gjithë jetës së vet qëndroi një hap përpara kundërshtarëve dhe shfrytëzoi aleancat deri në pikën e fundit.

Kësaj here Skënderbeu vjen si një komandant dhe prijës largpamës me një projekt të madh, kryqëzatën anti-osmane. Në librin e Virgjil Kules shfaqen gjithashtu fakte dhe analiza historike që hedhin dritë mbi shumë aspekte të jetës së Skënderbeut që më së shumti nuk janë tepër të qarta për publikun e gjerë.

Tek “Kryqtari i Fundit”, historia e Skënderbeut vjen më e detajuar se kurrë, ajo vjen e shtjelluar vit pas viti, në disa raste edhe muaj pas muaji. Në këtë studim, autori është fokusuar tek veprimtaria diplomatike e Skënderbeut. Është bërë një radhitje dhe interpretim i ri i dokumenteve dhe është pasuruar me dokumente të tjera dytësore që flasin indirekt për veprimtarinë e tij.

Libri “Kryqtari i Fundit” hedh dritë mbi historinë e vërtetë të Skënderbeut. Ai i jep përgjigje të gjitha pikëpyetjeve të deritanishme. Ashtu siç thotë dhe Koloreto, kushdo që dëshiron të dijë më tepër për Skënderbeun, nuk duhet ta humbasë këtë libër