Bota

Gjermani, kryebashkiaku i Frankfurtit i padëshiruar/Qytetarët e largojnë me referendum!

Votuesit në Frankfurt të Gjermanisë marrin vendimin e rëndësishëm, largojnë me votë kryetarin e bashkisë, i cili po përballet me një proces gjyqësor për korrupsion. Autoritetet gjermane bëjnë të ditur se 95.1 për qind e pjesëmarrësve në referendumin e një dite më parë votuan pro largimit të Peter Feldmannit, anëtar i forcës politike të kancelarit Olaf Scholz, Partisë Socialdemokrate.

Prej dhjetë vitesh, Peter Feldmann ka drejtuar Bashkinë e Frankfurtit, qendrës kryesore financiare në Gjermani. Por, telashet për të nisën disa muaj më parë. Në mars të këtij viti, prokurorët në Frankfurt ngritën aktakuzë ndaj Feldmannit për abuzim me postin. Konkretisht, akuzohet se favorizoi një organizatë që ka ndihmuar në mbledhjen e fondeve për fushatën e Feldmannit për zgjedhjet e vitit 2018. Prokurorët argumentuan se kishte planifikuar që si shpërblim në lidhje me mbledhjen e fondeve, të privilegjonte organizatën dhe këtë e bëri duke marrë parasysh interesat e saj edhe në rastet e ndaluara.

Ndërkohë, zyrtari 64-vjeçar, deklarohet i pafajshëm duke mohuar çdo akuzë në drejtim të tij. Muajin e kaluar, në tetor nisi gjykimi për të. Peter Feldmann ka refuzuar thirrjet e përsëritura të muajve të fundit që të japë dorëheqje. Madje, dorëheqjen ia kërkoi edhe partia ku bën pjesë. Ndërsa u shpreh se do të largohej në janar, kjo bëri që Këshilli Bashkiak i Frankfurtit të votonte për ta larguar nga posti i kryetarit.

Feldmann injoroi afatin për ta pranuar këtë vendim dhe më pas ky refuzim u bë pikënisje që të organizohej referendumi për ta larguar. Qytetarët e thanë fjalën e tyre kur në unison votuan për ta shkarkuar. Mandati i tij në krye të Bashkisë së Frankfurtit përfundon të premten e datës 4 nëntor. Zëvendësi i Feldmannit, Nargess Eskandari-Gruenberg, nga Partia e Gjelbër, do të marrë postin e kryebashkiakut deri në mbajtjen e zgjedhjeve. Tani, pritet që votimet në Frankfurt të zhvillohen brenda katër muajve.