Bota

Gjermania, akuza Rusisë për gazin!

Kancelari gjerman, Olaf Scholz akuzoi sot Rusinë si përgjegjëse për bllokimin e dorëzimit të një turbine, aktualisht në Gjermani, pa të cilën gazsjellësi “Nord Stream 1” që furnizon me gaz në Europë, sipas Moskës, nuk mund të funksionojë normalisht.

Nuk ka asnjë arsye që do të pengonte kryerjen e dërgesës. Moska thjesht duhet të sigurojë informacionin e nevojshëm doganor për transportin e saj në Rusi.

Rusia uli vëllimin e dërgesave të saj në qershor dhe korrik duke thënë se tubacioni i gazit nuk mund të funksiononte normalisht pa riparuar një turbinë në Kanada dhe që nuk ishte kthyer në Rusi për shkak të sanksioneve të vendosura nga Perëndimi për sulmin rus ndaj Ukrainë. Gjermania dhe Kanadaja kanë rënë dakord të sjellin pajisjet përsëri në Rusi, por turbina ende nuk ka arritur në destinacionin e saj përfundimtar. Gazsjellësi “Nord Stream 1”, me kapacitet prej 167 milion metra kub në ditë, lidh Rusinë me Gjermaninë nëpërmjet detit Baltik.

Perëndimorët akuzojnë Moskën për përdorimin e armës energjetike në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e miratuara pas ofensivës kundër Ukrainës. Nga ana tjetër, Kremlini thotë se sanksionet janë burimi i problemeve teknike në infrastrukturën e gazit dhe se Europa vuan nga masat që vendos ndaj Rusisë.

Importet e gazit rus janë në një fraksion të vëllimit të zakonshëm, por nivelet e ruajtjes së gazit gjerman po rriten, si pjesë e  përgatitjeve për muajt e dimrit. Klaus Muller, i cili drejton Rregullatorin e Agjencisë Federale të Rrjetit të Energjisë, tha se “depot e gazit janë në 69% e rriten me 0,4 pikë përqindje çdo ditë”. Berlini zyrtar urdhëroi që magazinimi të jetë në të paktën 75% të kapacitetit deri më 1 shtator për të arritur në 95% deri në fillim të nëntorit.

Ukraina akuzon Gjermaninë e të tjera vende të Bashkimit Europian për bllokimin e fondeve të miratuara më herët nga Blloku, pasi vendi përballet me krizë financiare nga lufta me Rusinë. “Presim 8 miliard euro, por fatkeqësisht disa shtete të BE-së, përfshirë Gjermaninë, po bllokojnë verifikimin e çështjes”, – tha një zyrtar i Presidencës. “Kievi mori 1 nga 9 miliard euro, të premtuara nga BE-ja në maj.

Për fondet e mbetura mund të nevojiten garanci nga shtetet anëtare të Unioni, sipas Komisionit Europian, pasi sigurimi i tyre përmes buxhetit të BE-së nuk është i mundur, për shkak të mungesës së burimeve. Disa agjenci ndërkombëtare, ulën vlerësimin e kreditit të Ukrainës në korrik. Kompania më e madhe shtetërore, “Naftogaz” nuk arriti të shlyejë borxhet e jashtme të papaguara. Nevoja e Ukrainës për financim shtesë llogaritet në pothuajse 50 miliard euro për vitin 2023.