Bota

Gjermania akuza Rusisë për sulme kibernetike ndaj NATO-s e BE-së!

Agjencia e Inteligjencës së Brendshme të Gjermanisë ka paralajmëruar kundër një grupi që i përket inteligjencës ushtarake ruse (GRU) i njohur si njësiti 29155, duke thënë se ka kryer sulme kibernetike kundër shteteve anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Europian.

Në një postim në platformën sociale X, agjencia gjermane tha se bëri paralajmërimin bashkë me Byronë Federale të Hetimeve (FBI) të Shteteve të Bashkuara, agjencinë amerikane për sigurinë kibernetike CISA e të tjerë partnerë ndërkombëtarë.

Paralajmërimi vjen në kohën e rritjes së shqetësimeve në Europë lidhur me mundësitë e shtrirjes së hakerëve dhe spiunëve rusë, prej nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022. Më herët gjatë vitit, Berlini zyrtar e ka akuzuar Rusinë për kryerje të disa sulmeve kibernetike kundër Social-Demokratëve në pushtet, si dhe ndaj disa kompanive tjera që merren me logjistikë, mbrojtje, hapësirën ajrore e sektorë të teknologjisë informative.

Në paralajmërimin e lëshuar sot, agjencia gjermane ka thënë se grupi rus, i njohur si “Ariu i prushit”, ka kryer aktivitete me qëllim të spiunimit e sabotazhit, si edhe të vjedhjes së të dhënave të publikuara. Njësiti i agjencisë ruse, GRU është i njohur për përfshirjen e dyshimtë në helmim të ish-agjentit të dyfishtë rus, Sergei Skripal e vajzës së tij, Yulia, në Britaninë e Madhe, më 2018ën, sipas agjencisë gjermane.

Mbi 3 vjet më parë, Shtetet e Bashkuara dhe Britania aktivizuan një tjetër alarm për aktivitetet ruse në hapësirën kibernetike duke e akuzuar Kremlinin për përpjekje të vazhdueshme për t’u futur në sistemin e agjencive qeveritare, universiteteve e madje edhe partive politike.

Një dokument i përbashkët i publikuar nga Agjencia për Sigurinë Kombëtare e SHBA-ve dhe Qendra e Sigurisë Kombëtare Kibernetike në Britani, nxori në pah se inteligjenca ushtarake ruse, GRU, po përdor “forcë brutale” që prej vitit 2019, për të kryer aktivitete kibernetike kundër qindra organizatave qeveritare dhe private.

Hakerët vazhdimisht supozojnë fjalëkalimet, derisa të fitojnë hyrjen.

Pasi sigurojnë akses nga distanca, shumë taktika, teknika dhe procedura kombinohen, për t’iu shmangur mbrojtjes e për të mbledhur informacione shtesë brenda rrjeteve të synuara, thuhet në dokument.

GRU-ja ka shënjestruar me sukses qindra organizata të Shteteve të Bashkuara e të huaja, si dhe agjenci të ndryshme qeveritare të SHBA-ve, të tilla si Departamenti i Mbrojtjes.