Bota

Gjermania e alarmuar nga rritja e rasteve me Omicron!

Gjermania po përballet me rritje të rasteve me koronavirus pavarësisht se më shumë se gjysma e popullsisë është imunizuar me dozën përforcuese të vaksinës kundër COVID-it. Infektimet janë shtuar shumë, veçanërisht në Berlin, që në 7 ditë ka shënuar numrin më të madh në 100 mijë banorë.

Instituti për Kontrollin e Sëmundjeve “Robert Koch”:

Brenda 7 ditëve, shkalla e incidencës në Berlin ishte 1.473.

Në Gjermani, 41.7 milion nga popullsia prej 82 milion banorësh janë imunizuar me dozën përforcuese. Qeveria gjermane thotë se “në njësitë e kujdesit intensiv, situata paraqitet nën kontroll. Vetëm 16% e shtretërve në spitale rezultojnë të zënë nga pacientë me COVID-19”. Por, sipas virologut Oliver Keppler, “shumë shpejt, spitalet gjermane do të përballen me numër të madh të pacientëve, për shkak të valës së shkaktuar nga varianti Omicron i koronavirusit”.

Unë mendoj se klasifikimi i shpeshtë i Omicronit si variant i butë do të bëhet jashtëzakonisht i rrezikshëm. Në Gjermani, gjendja duket e vështirë nisur nga mosha mesatare që është e lartë e gjithashtu nga numri i njerëzve të pavaksinuar.

Dje në një protestë, mijëra gjermanë kundërshtuan masat e vendosura për të frenuar koronavirusin dhe vaksinimin e detyrueshëm. Mbi 7.500 vetë protestuan në Dyseldorf e afro 2.300 dolën në rrugët e Regensburg, ku gjithashtu pati qytetarë të tjerë që tentuan të prishnin protestën e atyre që kundërshtonin masat. Tre protestues u ndaluan. Ndërkaq, mbi 1.000 njerëz manifestuan në mënyrë paqësore në Shtutgard dhe protestuesit u ndalën para godinës së televizionit publik, duke kritikuar mbulimin mediatik të pandemisë.

Në Zelandën e Re, një prej shteteve të pakta që ka shmangur shpërthimet e Omicron-it, kryeministrja Jacinda Ardern pranoi se “do të jetë e pamundur që të shmanget përhapja e këtij varianti, për shkak të transmetueshmërisë së lartë”. Shefja e Qeverisë njoftoi se nga sot, aplikohen masa të reja, pasi janë regjistruar nëntë raste me Omicron. Në kufizime do të përfshihet mbajtja e maskave gjatë përdorimit të mjeteve të transportit publik e në dyqane, si edhe ka kufizim të grumbllimeve, por jo izolim.