Bota

Gjermania e Belgjika të gjunjëzuara nga përmbytjet, mbi 150 viktima e nuk ka mbaruar ende!

Në Europën Perëndimore të gjunjëzuar nga moti i keq vazhdon të rëndohet bilanci i viktimave, 153 deri tani dhe për fat të keq është provizor.

Në Gjermani ku përmbytjet nga shirat e rrëmbyer kanë mbjellë shkatërrim, ekipet e kërkim-shpëtimit janë në garë me kohën për të gjetur 1.300 personat që ende rezultojnë të zhdukur në landet Rheineland-Pfalz e Nordrhein-Westfalen.

Në territorin gjerman, zyrtarisht raportohet për të paktën 133 viktima. Aty niveli i ujit po bie gradualisht dhe Presidenti Frank-Walter Steinmeier do të jetë sot në terren për të parë nga afër dëmet katastrofike. Shumë trupa të pajetë po gjenden në bodrumet e banesave çka tregon se ishin aty në përpjekje për të larguar ujin. Ndërkaq, 20 janë personat në Belgjikë që po për shkak të pasojave katastrofike të motit të keq kanë ndërruar jetë, pjesa më e madhe në provincën Liezh. 20 të tjerë ende rezultojnë të zhdukur.

Autoritetet belge vendosën që e marta e 20 korrikut të jetë ditë zie kombëtare në Belgjikë në nderim të viktimave.

Ndonëse fatmirësisht pa fatalitete në njerëz por nuk u kursyen as Holanda, Luksemburgu e Zvicra ku dëmet materiale janë të konsiderueshme por sigurisht të papërfillshme përballë atyre në Gjermani e Belgjikë.