Aktualitet

Gjermania intensifikon thirrjet për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE, Tiranës e Shkupit!

Gjermania përforcon qëndrimin që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut t’i hapen sa më shpejt negociatat me Bashkimin Europian. Këtë e deklaroi sot ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock. Pas mbërritjes në Këshillin e Punëve të Jashtme në Luksemburg, deklaroi:

Europa rritet gjithmonë në kohë të vështira e ne jemi edhe pro një mesazhi për Ballkanin Perëndimor, duke hapur menjëherë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Gjithashtu, kryediplomatja theksoi se Berlini mirëpret rekomandimin e Komisionit Europian që Ukrainës e Moldavisë, t’i jepet statusi kandidat.

Ky është një moment historik dhe secili duhet të pyesë veten se çfarë do të ndodhë nëse marrim vendime të gabuara?

Gjasat që Ukrainës t’i jepet statusi kandidat për në Bashkimin Europian bënë që kancelari gjerman të kërkojë reforma në Union e lëvizje në drejtim të hapjes së negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Olaf Scholz pret reforma, që të lehtësohen pranimet e anëtarëve të rinj në Bllok. Në një intervistë për DPA-në, shfaqi shpresën që nga samiti i BE-së këtë javë, të dilet edhe me një impuls për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Olaf Scholz është i mendimit se vendeve të Ballkanit Perëndimor, BE-ja duhet t’i tregojë se e ka seriozisht. Sipas kancelarit gjerman, “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i plotësojnë të gjitha kriteret për hapjen e negociatave konkrete për anëtarësimin e ato duhet të fillojnë tani!”. Ndërkohë, Parlamenti Europian kërkon reforma të zgjeruara të Konventës Europiane e të hiqet dorë nga parimi i vendimit unanim, gati në të gjithë fushat e politikës.

Statusi i vendit kandidat mund të jepet vetëm me votë unanime. Për zbutjen e këtij parimi, prej kohësh ka shumë diskutime në BE. Problemi është se edhe për reformimin e vendimit unanim duhet të vendosin njëzëri drejtuesit e shteteve dhe qeverive në BE. Disa ditë më parë, Parlamenti Europian kërkoi reforma të zgjeruara të Konventës Europiane e të hiqet dorë nga parimi i vendimit unanim, thuajse në të gjithë fushat e politikës.