Bota

Gjermania, më e lakmuara në BE nga azilkërkuesit!

Në 9-mujorin e parë të vitit që po lemë pas, Bashkimi Europian u përball me 355,955 kërkesa për azil. Numri më i madh i tyre është paraqitur në Gjermani, me 100,240, vend i ndjekur nga Franca me 73,255 njerëz që kërkuan mbrojtje nga persekutimi.

Shifrat publikohen në një raport të Agjencisë Europiane të Statistikave, Eurostat. Në Gjermani, ato janë rritur me 15%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020-ës.

Në krahasim me vendet e tjera të Unionit, përqindja e kërkesave të bëra në Gjermani, gjithashtu është rritur nga 24.3% në 2020-ën, në 28.4% në të njëjtën periudhë të këtij viti, pra janar-shtator 2021.

Shumica e azilkërkuesve vijnë nga Siria (66,145), si edhe nga Afganistani (53,625) e Iraku (15,775).

Kërkesat e pranuara për azil

Mes muajve korrik-shtator 2021, në Bashkimin Europian janë marrë gjithsej 115,025 vendime mbi kërkesa për azil, shumica e tyre në Gjermani dhe Francë. Por, ndërsa në Gjermani nga 29,970 kërkesa 16,300 janë pranuar, në Francë nga 33,325 kërkesa u miratuan më pak, vetëm 9,425.

Vitin e kaluar, numri i azilkërkuesve ra ndjeshëm në të gjithë Europën, kryesisht për shkak të pandemisë koronavirus. Para situatës së krijuar nga COVID-i, në vitin 2019, numri i azilkërkuesve ishte 612,000 vetë.

Jo të gjithë njerëzit që kalojnë ilegalisht kufijtë e një shteti mund të kthehen në atë fqinj, prej nga kanë hyrë. Kjo kundërshtohet nga ndalimi i dëbimit kolektiv dhe i ashtuquajturi refuzim i rikthimit, i përmendur edhe në Konventën e Gjenevës për Refugjatët në vitin 1951, që është parim i vlefshëm global i përfshirë në të drejtën ndërkombëtare. Ky parim ndalon shtetet të kthejnë njerëzit në vendet ku ata rrezikohen nga torturat apo shkeljet e tjera serioze të të drejtave të njeriut.

Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), e nënshkruar nga 47 shtete, përcakton ndalimin e dëbimit kolektiv në Protokollin shtesë me numër IV. Por, personat që hyjnë ilegalisht, nuk mund të bazohen thjesht në këtë ndalim, për të parandaluar riatdhesimin ose për të kërkuar rihyrjen në një vend.